BERAT– Mungesa e mjekëve specialistë në spitalin rajonal të Beratit vijon të jetë problem. Janë 15 mjekë të specialiteteve të ndryshme, që ndonëse kanë mbushur moshën dhe kanë dalë në pension, vijojnë të qëndrojnë në punë si pasojë e mungesës së mjekëve të rinj.

Sipas drejtuesit të këtij spitali, Iraid Frashëri, të diplomuarit në Mjekësi nuk kthehen në Berat për të punuar, ndërsa shton se edhe ata që janë të specializuar janë larguar drejt Gjermanisë.
Frashëri i bën apel Ministrisë së Shëndetësisë për të gjetur një zgjidhje.

Ndërkohë në spitalin e Beratit kanë përfunduar punimet për rikonstruksionin e Repartit të Reanimacionit, pas një investimi prej 16 milionë lekësh të akorduara nga Ministria e Shëndetësisë.

Vetë spitali me të ardhurat e tij ka mundësuar që me një fond prej 16.5 milionë lekësh të blejë disa aparatura tepër të domosdoshme siç janë, mes tyre skaneri, shërbim të cilin pacientët e Beratit mund ta merrnin vetëm në kryeqytet.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb