TIRANE – Ish-kryeministri Berisha flet në faqen e tij në “Facebook” rreth dyshimeve që janë ngritur për shkaqet e rrëzimit të helikopterit të ushtrisë, një ditë më parë në liqenin e Shkodrës. Sipas Berishës, “Shkodra zien dhe gumëzhin për rrëzimin e helikopterit, pasi duket se po transportonte mermer për në rezidencën malore në Vermosh të Mimi Kodhelit!”
Sipas Berishës, nëse këto dyshime vërtetohen, kemi të bëjmë me një krim të shëmtuar shtetëror.

“Shkodra zien dhe gumëzhin për rrëzimin e helikopterit! Qeveria përpiqet të fshehë shkaqet dhe rrethanat?!?! Të dashur miq, helikopteri që u rrezua dhe ra dje në liqenin e Shkodrës, në të cilin humbën jetën dy pilotët, duket se transportonte mermer për në rezidencën malore në Vermosh të Mimi Kodhelit! Në rast se kjo është e vërtet kemi të bëjmë me një krim të shëmtuar shtetëror. Qeveria po bën gjithçka për të fshehur shkakun e vërtetë dhe rrethanat e rrëzimit të helikopterit, pra për t’i mbuluar me heshtje dhe për t’i lënë ato në fund të liqenit..
Gazetari Elvis Nabolli që jep këtë lajm në FB e tij, kërcënohet me jetë dhe detyrohet të heqë statusin nga FB. Neo-bllokmeni Ilir Beqja kërcënon fizikisht gazetarin e Zërit të Amerikës në spital tek i plagosuri. Ndërkohë portali syri.net jep një video që tregon se helikopteri është ndalur në një lëndinë pranë doganës së Hanit të Hotit (mundet për të marrë ngarkese?) dhe prej aty është nisur për udhëtimin fatal.
Ndaj peshkatarëve që arritën të parët në vendngjarje dhe banorëve të zonës po ushtrohet dhunë që të mbyllin gojën. Për të fshehur të vërtetën, janë konfiskuar edhe celularët e peshkatarëve dhe banorëve sepse mund të kenë regjistruar pamje kompromentuese.
Sot urgjent parlamenti duhet të ngrejë komisionin e verifikimit me çdo kusht të këtyre të dhënave tejet tronditëse.
I bëj thirrje presidentit të Republikës të shfrytëzojë të gjithë kompetencat e tij për të verifikuar rrethanat dhe shkakun e kësaj tragjedie! sb”- shkruan Berisha në “Facebook”.

KODHELI: TE KAM LENE ZOTIN, SE ROBI S’MERRET ME TY
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli ka reaguar sot për akuzat e ish kryeminstrit Berisha. Ajo e quan PD-në parti balte që po përpiqet të shqyejë të vdekurit në aksidentin e djeshëm, ndërsa për Berishën përmend një shprehje të popullit e cila thotë: Të kam lënë zotin, se robi s’merret me ty!

Sipas Kodhelit, për gjithçka që ka ndodhur në aksidentin tragjik të Malësisë së Madhe, gjykimin e ka në dorë populli.

“Është e frikshme që pa u varrosur ende dy djemtë që humbën tragjikisht jetën në aksidentin e djeshëm, politika e hienave u vërsul të shqyejë të vdekurit për të ushqyer partinë e baltës! Pa u tharë ende boja e letrës së ngushëllimit që kapot e partisë së baltës u dërguan familjarëve të dy shërbëtorëve besnikë të shtetit, kapot dhe vrasësit e tyre me pagesë të së vërtetës, u vërsulën të hedhin baltë mbi viktimat. Ka një shprehje populli për rastin kur të vinë përballë krijesa të tilla të errësirës: Të kam lënë Zotin se me ty s’merret dot robi! Ndërsa për këto hiena politike unë mund të them vetëm se i’a kemi lënë popullit sovran të shohë, të dëgjojë e të gjykojë për ta! Dhe jam e bindur që edhe më keq do t’i gjykojë se c’i gjykoi në 2013 e në 2015! Qershori i ardhshëm do të shpagojë me votën e popullit gjithë baltën e tyre të neveritshme!

(er.nu/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb