TIRANE– Ish-kryeministri Sali Berisha shprehet i vendosur në kërkesat kryesore të protestës për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira e të ndershme. Në ditën e 48 të protestës, Berisha jep një tjetër zgjidhje dhe datë për zgjedhje të lira e të ndershme. Ai thotë se nëse Rama është i lidhur ngushtë me karrigen e Kryeministrit, atëherë le të rrijë deri më 18 qershor.

Pas kësaj date, Berisha propozon që të krijohet qeveria teknike dhe të kalohet në zgjedhje të lira e të ndershme.

[fbvideo link=”https://www.facebook.com/balkanwebCOM/videos/1305597349489219/” width=”500″ height=”400″ onlyvideo=”1″]

Berisha thotë se sot kryeministrin Rama e kanë braktisur të gjithë, edhe aleatët e tij duke nënkuptuar kësisoj, kreun e LSI-së, Ilir Meta.

“Në këto ditë protestë, qytetarët nuk i kanë lejuar vetes as shprehjen më të vogël të dhunës, të urrejtjes me dhunë, por në mënyrën më fisnikë, bënë gjithçka për të bindur dhe shqiptarin e fundit se po luftojnë për të, për fëmijët. Nuk po luftojnë për pushtet, privilegje, por për dinjitetin e tyre, për votën e lirë. Ftoj qytetarët të hyjnë në një dialog me shqiptarët e tjerë, ata që mbështetin kryesisht Ramën. E nëse ata u thonë përse doni t’ia ndërprisni mandatin, atëherë u thoni:

Nëse Rama është i lidhur kaq shumë me atë karrige le të rrijë deri më 18 qershor, të firmosë largimin, e pastaj të krijojmë qeverinë teknike për zgjedhje të lira e të ndershme.

Rama, sot të kanë braktisur të gjithë. Të kanë braktisur edhe aleatët e tu. Jo se u pëlqen opozita, por kauza që ata kanë është e drejtë”, tha Berisha.

“Çadra sot është pushteti i mbarë shqiptarëve, ndaj edhe mos dëgjo ata intrigantë që ke rreth teje, të cilët nuk mendojnë gjë nga mëngjesi deri në darkë, veçse sesi të vjedhin më shumë se ti. Ik largohu, hapi rrugën zgjidhjes”, tha Berisha.

Berisha i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama të mos e shohë qetësinë e çadrës si dobësi dhe të mos e nxehë revolucionin, duke i kërkuar të dorëhiqet.

“Ti mund ta çosh veten në çdo drejtim tjetër por jo Shqipërinë vetëm në zgjedhje. E fundit, paqja është forcë e të gjitha forcave, ndaj dhe mos e merr ti shpirtin paqësor të kësaj çadre si dobësi sepse do të shohësh një mjerim që as në ëndrra nuk e ke parë kurrë në qoftë se nxehet revolucioni. Revolucionin mos e nxeh, ky është sugjerimi ynë. Shko tani dhe jep dorëheqjen, t’u japim zgjidhjen e merituar shqiptarëve. Ke kaluar çdo vijë të kuqe, ik qërohu, shporru”, tha Berisha.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb