Nga Shaban MURATI
Kultura europiane e së vërtetës dhe e së drejtës u përball edhe njëherë me brutalitetin dhe obskurantizmin e nacionalizmit fanatik serb, kur këto ditë një nga figurat më të shquara të elitës së sotme intelektuale europiane, filozofi, shkrimtari, regjisori dhe publicisti i mirënjohur francez, Bernard-Henri Levy, u bë objekt i një sulmi fizik dhe verbal në një aktivitet kulturor në mes të Beogradit. Ky sulm i ulët ndaj filozofit dhe humanistit të njohur të të drejtave të njeriut, nuk u shkaktua nga ndonjë fjalim i momentit i Bernard-Henri Levy-it, i cili ishte mysafir për të marrë pjesë në 10 maj në festivalin e filmit dokumentar me filmin e tij “Peshmerga”, kushtuar luftës së kurdëve kundër organizatës terroriste të “shtetit islamik”. Filozofin e gjuajtën me tortë dhe me vezë, e sulmuan fizikisht, dhe në sallën e aktivitetit njerëz të organizuar thërrisnin sharje kundër tij dhe mbanin parulla “Levi mbron vrasësit imperialistë”, “Levi ka mbrojtur ndërhyrjen e NATO-s dhe bombardimin e Jugosllavisë”, etj. Ishte një veprim i organizuar dhe i përgatitur si një hakmarrje dhe si një ndëshkim për pikëpamjet dhe qëndrimet e njohura përparimtare të filozofit francez në kohën e konflikteve në ish- Jugosllavi në dekadën e fundit të shekullit të kaluar.

Pra, ishte shprehje e një hakmarrje primitive për qëndrimet e tij të 20-25 viteve më parë, dhe një dëshmi e ringjalljes të së kaluarës fashiste dhe agresive të Serbisë, e cila guxon dhe sulmon sot publikisht një nga zërat më të shquar të mendimit të lirë dhe demokratik europian. Bernard-Henri Levy ka qenë ndër të parët mendimtarë dhe intelektualë europianë me famë ndërkombëtare, që kuptoi dhe demaskoi qysh në fillim politikën kriminale të diktatorit serb, Sllobodan Millosheviç, dhe të keqen e madhe, që ajo politikë paraqiste për Jugosllavinë, për Ballkanin dhe për Europën. Ai ka qenë një mbrojtës i flaktë ndërkombëtar i së drejtës së popullit boshnjak dhe të popullit shqiptar të Kosovës për liri dhe kundër agresionit serb. Bernad-Henri Levy është ndër të parët zëra influentë të elitës europiane, që ka kërkuar ndërhyrjen për qëllime humanitare të Perëndimit në Jugosllavi për të ndaluar spastrimin etnik, që forcat policore dhe ushtarake të Millosheviçit po zbatonin në Kosovë. Bernard-Henri Levy është ndër figurat e njohura intelektuale të pas luftës së dytë botërore, që ka mbajtur lart idealin e vlerave civilizuese europiane të lirisë dhe të demokracisë. Verbëria nacionaliste serbe nuk mund t’i falë atij veprimtarinë humane dhe platformën e lirisë së mendimit, kundër të cilave makina represive millosheviçiane përdori instrumentet e luftës dhe të masakrave, njësoj si nazistët.
Ajo, që ndodhi në Beograd, me sulmin fizik dhe verbal kundër filozofit dhe humanistit Bernard-Henri Levy, është tepër domethënëse dhe merr rëndësi të veçantë për të kuptuar më qartë të vërtetat e sotme të hidhura të Serbisë, raportet e saj gjenetike me të kaluarën e errët dhe natyrën e vërtetë të rrugës, ku po ecën sot shteti serb dhe shoqëria serbe.

Analizën e plotë mund ta lexoni në GSH.al duke klikuar linkun:

http://www.gsh.al/2017/05/22/bernard-henri-levy-dhe-solidariteti-shqiptar/
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: