NGA ELTON DONO
KORÇË-Një tjetër natë madhështore dhe e paharrueshme nën logon e Festës së Birrës dhe “Birrës Korça”, që u konsumua si kurrë më parë në një shesh të tejmbushur. Mijëra pjesëmarrës, numri i të cilëve ka ardhur në rritje nga nata në natë, duke kaluar shifrën e 50 mijë personave, kanë qëndruar sërish deri në agun e mëngjesit. Mbrëmja e djeshme kishte numrin më të lartë të njerëzve.

Kostika Gjylameti, drejtori i shitjeve të “Birra Korça”, simbolit të qytetit dhe birrës më të konsumuar, tha se në 3 netët e para janë shitur më tepër se 20 mijë litra birrë dhe pritet që shifra të dyfishohet në natën e fundit. Mbrëmja vijoi nën tingujt e muzikës më moderne dhe “Birrës Korça”, e cila është derdhur lumë në këto 4 net, përgjatë gjithë stendave të vendosura në shërbim të publikut. Organizatorët e kësaj feste, por edhe shijuesit kanë pohuar se kjo festë ka një marrëdhënie të veçantë me “Birrën Korça”, si birra e parë dhe më cilësore shqiptare, e cila e ka rritur vlerën e produktit të saj nga viti në vit. Çdo i pranishëm pati mundësinë që të shijojë pranë stendave të “Birra Korça”, bionden ose të zezën, sipas preferencës së gjithsecilit.

Drejtuesit e “Birra Korça” thanë për “Gazeta Shqiptare”, se konsumi i pijes ka ardhur në rritje çdo natë, duke kapur shifrën e gati 150 mijë gotave, e pakrahasueshme me asnjëherë tjetër. Ndërkohë që qytetarët korçarë, emigrantë apo edhe turistë të huaj janë shprehur mjaft të kënaqur me cilësinë e “Birrës Korça”, duke thënë se nuk e ndërrojnë me asnjë tjetër cilësinë që mbart birra, simbol tashmë i qytetit juglindor. Ashtu si netët e tjera, festa është shpërndarë gjithandej në qytet, në “zonat e birrës”, të hapura enkas për konsumin e saj, shndërruar tashmë në traditë disavjeçare të Korçës.

“Elita 5” çon peshë publikun
Qershia mbi tortë e natës së djeshme ishte grupi “Elita 5”, i cili u rikthye të luajë përballë publikut korçar pas një mungese disavjeçare në të njëjtën festë, për të elektrizuar si kurrë më parë të pranishmit, që kishin ardhur enkas për të shijuar muzikën e zgjedhur të kësaj nate të katërt, më specialja nga të gjitha netët e kësaj feste. Mbrëmja e djeshme nisi si përherë rreth orës 20:00 me muzikë të zgjedhur të DJ, më pas, skena e sheshi u gjallëruan nga muzika rok e grupeve “Lync” e “Rock Stock Band”, që luajtën për disa orë me radhë.

Marsela Çibukaj, Elton Deda dhe Eneda Tarifa shpërfaqën zërin e tyre dhe muzikën më të mirë, për të çuar peshë ata mijëra njerëz të pranishëm, kryesisht të rinj, por edhe mosha më të mëdha, fansa të muzikës së viteve ’90. Korçari Devis Xherahu ishte këngëtari i radhës që u ngjit në skenë, duke ia lënë radhën më pas furisë së muzikës aq të pëlqyer të grupit “Elita 5”, që solli për të pranishmit këngët e veta më të famshme.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: