Tatimpaguesit e përfshirë në një procedurë ankimimi, nëse do të duan të përfitojnë nga ligji i faljes, më parë do të duhet të paraqesin pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse, aktin e heqjes dorë nga ankimi administrativ ose nga e drejta e padisë, ankimit e rekursit.

Kjo është formula për të përfshirë në ligjin e faljes edhe bizneset që janë në gjyq me Tatimet. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bën të ditur për të gjitha bizneset se, në zbatim të nenit 11, të ligjit nr.33/2017, “Për pagesën dhe fshirjen, shuarjen e detyrimeve tatimore, detyrimeve të pagueshme në doganë, si dhe procedurën e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit pas fshirjes, shuarjes së detyrimeve tatimore”, përfitojnë falje të detyrimeve.

Njoftimi
“Tatimpaguesi, i cili është në proces ankimi administrativ ose gjyqësor për detyrimet tatimore, i nënshtrohet procedurës së faljes, nëse ai heq dorë nga ankimi administrativ ose nga e drejta e padisë/ankimit/rekursit në çdo fazë dhe shkallë të gjykimit pranë gjykatës administrative kompetente”, – thuhet në njoftimin e Tatimeve.

Për të përfituar nga ligji i faljes deri në fund të vitit, tatimpaguesit e përfshirë në një procedurë ankimimi, nëse do të duan të përfitojnë nga ky ligj, më parë do të duhet të paraqesin pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse, aktin e heqjes dorë nga ankimi administrativ ose nga e drejta e padisë/ankimit/rekursit.

Aktet e dorëheqjeve, më pas dërgohen nga Drejtoritë Rajonale në adresë të strukturave përkatëse të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, me qëllim përfshirjen në faljen automatike që do të bëhet në sistemin elektronik.

Shkrimin e plotë mund ta gjeni sot në Gsh.al, duke klikuar në linkun http://www.gsh.al/2017/05/24/bizneset-ne-gjyq-me-tatimet-ja-si-te-perfitoni-nga-falja-e-detyrimeve/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb