TIRANE– Kreu i PD, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me përfaqësues të biznesit të vogël në lidhje me situatën ekonomike dhe taksat. Përfaqësuesit e biznesit kanë thënë se nesër nga ora 11:00-12:00 do ulin qepenat në shenjë proteste kundër rritjes së taksave dhe përfshirjes në skemën e TVSH. Ata bënë thirrje për protesta masive.
“Nesër nga ora 11:00-12:00 do ulin qepenat në shenjë proteste. Të dalim në protesta masive dhe kërkojmë të na bashkohen edhe qytetarët. Të protestojmë kundër rritjes së taksave. Kjo qeveri kërkon të na nxjerrë në rrugë”- thanë përfaqësuesit e bizneseve.
Gjatë fjalës së tij, Basha tha se biznesi në vend ka një klimë pasigurie dhe është kundër përfshirjes së skemës së TVSH. Basha tha se Rama do ta çojë të gjithë xhiron e biznesit të vogël tek një grusht oligarkësh.
“Biznesi i vogël është kundër përfshirjes së skemës së TVSH. Biznesi në vend ka një klimë pasigurie. Futja e TVSH po shkatërron biznesin e vogël dhe po krijohet një klime armiqësore ndaj këtij biznesi. Skema e TVSH ka pasoja negative për të gjithë, pasi do rriten çmimet. Rama do ta çojë të gjithë xhiron e biznesit të vogël tek një grusht oligarkësh. Kjo është një qeveri që mendon vetëm për xhepat e një pakice duke grabitur shumicën. Arsyet se pse biznesi i vogël po futen në TVSH janë arsye korruptive. Nuk pret më koha dhe duhet qëndrim, I bëj thirrje të gjithëve që të marrin pjesë nesër në uljen e qepenave në shenjë proteste ”- tha Basha.
Basha kërkoi që biznesi i vogël të protestojë dhe të mos ketë frikë, pasi askush nuk i arreston. Ai u shpreh se bizneset po shkojnë drejt falimentimit.
“Ngrihuni, refuzojeni, bojkotojeni TVSH me të gjitha format dhe mënyrat dhe ju do ta detyroni sprapsjen e kësaj mase kriminale dhe shkatërrimatre në ekonomi. Jemi në krahun tuaj deri sa kjo betejë e juaj të fitohet, derisa të çmontojmë këtë bandë kriminale që di vetëm të grabisë. Do protestojmë pasi nuk na arrestojnë dot të gjithëve. Të vijnë të më arrestojnë mua të parin. Bizneset po shkojnë drejt falimentimit dhe ne kemi një plan konkret për biznesin. Të ndalim rrokullisjen e ekonomisë dhe ne do jemi në krahun tuaj. Ne do vendosim taksën e sheshtë. Sot është 40% informaliteti sipas të dhënave zyrtare. Do ta çojmë në 12 milionë leke pragun e TVSH”- tha Basha.
Fjala e plotë e kryetari të PD, Lulzim Basha me përfaqësuesit e biznesit të vogël:
Dua t’ju përshëndes ju, Shoqatën e Biznesit të Vogël, Shoqatën për Mbrojten e Tregut që keni mbledhur sot në këtë sallë dhjetra përfaqësues të sipërmarrjes së vogël në prag të katastrofës tregëtare që do të shkaktojë futja e biznesit të vogël ne skemën e TVSH-së.
Dua ta nis me një përshëndetje të përzemërt për fjalët tuaja që gjithsecili prej jush parashtroi të vërtetat tuaja, të vërtetën e biznesit të vogël, gjendjen dramatike ku ndodhet sot biznesi i vogël, që është punëdhënesi dhe punësuesi kryesor në Shqipëri. 97% e vendeve të punës në Shqipëri në ekonominë shqiptare sot janë hapur nga biznesi i vogël, mijëra dhe dhjetra mijëra vende pune do të mbyllen drejtpërdrejt si rezultat i kësaj mase futjes së biznesit të vogël në skemën e TVSH-së dhe në fakt siç u tha këtu është një hap tjetër në një seri masash rritje taksash rritje çmimesh, të karburantit, të energjisë dhe krijimit të një klime armiqësore ndaj biznesit në tërësi, të vogël në veçanti duke përfshirë kontrrollet e shpeshta, gjobat e larta, gjobat intensive dhe ambientin e pasigurisë që është krijuar.
Vetëm javët e fundit për shkak të pasigurisë disa përfaqësues të biznesit të vogël, disa pronarë të biznesit të vogël kanë humbur jetën apo janë plagosur rëndë dhe dhjetra biznese janë grabitur në mes të ditës siç ishte rasti i para disa ditëve në Korçë. Dua t’u bëj një thirrje medias të jetë sa më transparente dhe e drejtpërdrejtë. Përsa kohe që u mbajt fjala e përfaqësuesve kryesore vetëm një media ishtë në transmetim të drejtpërdrejtë. Dua t’i bëj thirrje kryeredaktorëve, gazetarëve por dhe pronarëve të medias, mos ta çensurojnë këtë aktivitet edhe pse nuk arritën të transmetojnë live fjalët e kryetarit të shoqatës të Biznesit të Vogël dhe kryetarit të shoqatës së Mbrojtjes të Tregut të Shqipërisë, t’i trasmetojnë të plota fjalën e tyre.
Harxhohen orë të tëra me propagandën qeveritare, nga mëngjesi deri në darkë ka mbirë në ekran një njeri, Edi Rama, i cili gënjen dhe mashtron shqiptarët kur shqiptarët marrin fjalën e tyre dhe janë ata që po flisnin sot janë përfaqësuesit e biznesit dhe ne jemi te ftuar. Mediat, me ndonjë përjashtim të rrallë, ndërpresin transmetimin. Kjo nuk i nderon për të mos thënë që është e turpshme, e dëmshme për vendin. Mos ia hiqni zërin dhe figurën qytetarëve, mos ia hiqni zërin dhe figurën përfaqësuesve të biznesit, ndaj ju bëj një kërkesë ta korrigjojnë censurën e mëngjesit duke trasmetuar të plotë shqetësimet e vërteta reale të folësve këtu në këtë sallë. Të mos presin vetë që t’i them unë apo t’i përsëris unë apo anëtarë të tjerë të opozitës. Ta marrin drejtpërdrejt ashtu siç u tha këtu, cilat janë të vërtetat për masën kriminale të futjes së biznesit të vogël në skemën e TVSH. Kjo është një skemë nga e cila do të humbasin të gjithë, me përjashtim të një grushti njerëzish. Do të ketë pasoja negative për të gjithë. Futja e biznesit të vogël në skemën e TVSH do të rrisë koston e biznesit të vogël do të çojnë falentimin e mijëra bizneseve të vogla, për rrjedhojë do të nisë papunësinë duke rritur çmimet për artikujt bazë dhe do të rrisë evazionin fiskal dhe arka e publikut nuk do të përfitojë nga kjo masë.
E tha fare mirë dhe fare qartë edhe zoti Agolli kontabilisti, kur e shprehu sesi funksionon dhe si do të shkatërrojë biznesi i vogël i përfshirë në TVSH do të shkatërrohet, cmimet e konsumit do të rriten. Rritja e çmimeve të konsumit do të çojë në ulje konsumit do të çojë në ulje të fuqisë blerëse. Ulja e konsumit do të ulë të ardhurat për biznesin, ulja e të ardhurave për biznesin e vogël do të ulë punësimin, do t’i çojë drejt uljes apo largimit nga puna të përsonave që biznesi i vogël punëson. Pse bëhet e gjitha kjo atëherë? Absolutisht këtu ka një element politik i cili
bashkon këto akte kriminale, TVSH- në për biznesin e vogël, taksën për rrugën e Kombit, shkatërrimin e Teatrit Kombëtar. Akti politik është të goditen dhe të asgjësohen zërat e pavarur në shoqëri. Kjo qeveri dhe ky kryeministër e urren gjithçka dhe këdo të pavarur. Ndaj ka këtë armiqësi ndaj biznesit të vogël dhe duan ta shkatërrojnë biznesin e vogël. Do që ta çojë të gjithë biznesin e vogël dhe xhiron e tij në një grusht oligarkësh që i kontrollon vetë, klientët e tij me të cilët drekon dhe darkon ditë për ditë dhe me të cilët po sheshin dhe grabisin Shqipërinë copë pas cope.
E njëjta gjë edhe me Teatrin Kombëtar. Nuk është thjesht urrejtja e një artisti të dështuar. Është vendosmëria për t’i mbyllur gojën dhe për të asgjesuar një trupë elitë prej 200 apo 300 artistësh që janë ndërgjegja kulturore e kombit, për të shkatërruar një tjetër vatër të mendimin ndryshe, të mendimit kundër, për të asgjesuar një tjetër mendim kundër.
E njëjta gjë me protestuesit që u ngritën në Kukës për të mbrojtur mbijetesën e tyre, bukën e gojës së tyre. Me terror ndaj tyre dhe trajtimin e tyre si terroristë nga një kryeministër që refuzon të arrestojë kriminelët dhe trafikantët, që mbron duke shkelur ligjin dhe Kushtetutën, me Ministrin e tij të Brendshëm të kapur në trafik droge, që lejon të arratiset gjysma e kupolës së Policisë që është sot në kërkim për trafik droge por nga ana tjetër godet njerëzit e thjeshtë. Të gjithë këto janë tipare të një regjimi, të një bande kriminale që ka një moto. Grabit shumicës dhe jepi pakicës. Dhe kjo është e dyta e vërtetë e futjes së TVSH-së për biznesin e vogël.
TVSh-ja po futet tek biznesi i vogël dhe po bëhet gati koncensioni i TVSh-së për t’ia dhënë vëllait të vet. Një plan për të cilin e bëri kurban një ministër financash dhe solli këtë të dytin që vetëm me financat nuk ka lidhje përveç pjesës së vjedhjes dhe grabitjes. Meqë ra fjala, vetëm sa vjedh Arben Ahmetaj me konsencionin e ineceneratorëve këtë vit ku është planifikuar të marrë 25 milionë dollarë nga taksat e shqiptarëve ndërkohë që me TVSH-në e biznesit të vogël planifikon të fusë në arken e shtetit 15 milionë. Pse bëhet e gjitha kjo?! Pse çohen 50 mijë biznese drejt falimentimit, qindra mijëra shqiptarë drejt papunësisë për të futur 15 milionë dollarë më shumë në arkën e shtetit kur vetëm Arben Ahmetaj do të marrë nga arka e shtetit 25 milionë dollarë për koncensionin e ineceneratorëve. Ky është një koncension korruptiv e kriminal.
Kjo pra është e vërteta. Kjo është e vërteta e TVSH-së. Grabitet shumica për t’i dhënë pakicës. E thatë shumë mirë. Pse për koncensionet jepen kontrata 30 vjeçare, ndërsa sistemi fiskal ndryshon çdo 3 muaj?! Sepse kjo është një qeveri që mendon vetëm për xhepat e një pakice dhe për këtë flijon ditë për ditë interesat e shumicës. Si qendron e vërteta në Europë?! Franca e ka kufirin e TVSh-së 82 mijë euro, Irlanda 75 mijë euro, Italia 60 mijë euro, Sllovakia 50 mijë euro, Sllovenia 50 mijë euro, Britania e Madhe 55 mijë sterlina. Po përmend disa nga shtetet për kufirin që kanë për biznesin e vogël. Ja si e mbrojnë biznesin e vogël qeveritë europiane.
Arsyet pse biznesi i vogël po futet në TVSh janë arsyet korruptive të cilat inkriminojnë drejtpërdrejtë Edi Ramën. E para që të bëjë koncensionin e TVSH-së dhe t’ia japë vëllait të tij dhe e dyta e gjithë xhiroja që bën bzinesi i vogël kur të mbyllet ky biznes ta drejtojë në 4 apo 5 oligarkë që kontrollojnë tregun. Kaq e thjeshtë është. Prandaj e kemi kundërshtuar dhe e kundërshtojmë me forcë. Mbështesim thirrjet që keni bërë sot. Nuk pret më koha. Fjalët nuk kanë për ta ndryshuar më këtë realitet. Duhet veprim dhe qendresë. Të enjten kur qytetarët bllokuan 4 akset rrugore dhe ne ishim dhe do të jemi në krah të tyre, siç do të jemi në krahun tuaj në Tiranë, Fier e Korçë u ulën qepenat dhe unë dua t’i përshëndes e t’i përgëzoj të gjithë ata sipërmarrës të vegjël që ndërmorën këtë akt mosbindje qytetare, këtë akt proteste me uljen e qepenave. Ju bëj thirrje t’i bashkoheni aksionit që ndërmerr nesër shoqata e biznesit të vogël dhe shoqata për mbrotjen e tregut nga ora 11 deri në orën 12, mbylljen e qepenave në mbarë Shqipërinë.
Por mos u mjaftoni me kaq. Është një grusht njerëzish që po grabit dhe po vjedh e po dhunon Shqipërinë dhe shqiptarët. Po grabit pasuritë publike, nëntokën, bregtetin, taksat tuaja. Një grusht njerëzish po mban peng 3 milionë shqiptarë. Nuk janë të fortë, nuk janë të pathyeshëm. i pathyeshëm është bashkimi i njerëzve kur luftojë për të drejtat e tyre. i pathyeshëm do të jetë aksioni i biznesit të vogël i cili do të bashkojë qindra e mijëra sipërmarrës të vegjël dhe të punësuarit e tyre. i pathyeshëm është bashkimi i njerëzve dhe qytetarëve kur ngrihen kundër padrejtësisë.
Të mos lejojmë këta 10-15 pushtetarë kriminelë dhe oligarkë sa byroja politike njëherë e një kohë të marrin peng të ardhmen e një populli të tërë. Të ngrihemi të gjithë dhe t’i refuzojmë. Bashkimi i qytetarëve në protestë për të drejtat e shkelura kundër padrejtësië dhe grabitjes, është i pathyeshëm dhe ne do të jemi në krahun tuaj dhe nuk na frikëson dot Edi Rama me hetuesinë politike. Le të vijnë të më arrestojnë mua të parin. Nuk na arrestojnë dot të gjithë. Nuk ju arrestojnë dot të gjithëve, mos kini frikë. Ngrihuni. Nuk ka rrugë tjetër. Fjalët e kanë humbur kuptimin, vetëm veprimi do të rikthejë shpresën në këtë vend dhe ky vend mund dhe do të bëhet. Nuk jam dakord me atë që thotë Berti se i kanë mbyllur dhe nuk do t’i hapin, por do t’i hapin kur të jenë kushtet këtu. Shikoni çfarë vendi kemi në zemër të Europës. Shikoni çfarë klime që kemi që shndrit dielli me këtë bregdet e me këta njerëz që duan të punojnë. Nuk jemi në humbëtirë, por në zemër të Europës. Jemi europianë dhe duam të punojmë me djersën e ballit. Por kemi një grusht njerëzish që punon kundër popullit të tyre nga mëngjesi në darkë. Ne mund dhe duhet ta zgjidhim këtë dhe do ta zgjidhim këtë.
Konkretisht, z Maliqi ne nuk bëjmë premtime, por ne kemi një plan konkret të cilin e kemi hartuar me shumë mund pasi kemi vëzhguar në detaje realitetin shqiptar. Kemi fotografuar jo vetëm performancën ekonomike shqiptare por të paktën 15 vjeçarin e fundit, kemi parë zgjidhjet europiane dhe kemi afruar ekspertët më të mirë të Gjermanisë, Britanisë, Amerikës dhe kemi bërë një plan ekonomik që është cilësuar nga të gjithë ata që e kanë parë dhe lexuar dhe për për fatin e keq nuk patëm mundësi ta shpjegonim mirë gjtë fushatës së kaluarë, si plani ekonomik më i mirë i bërë ndonjëherë në Shqipëri.
Konkretisht për biznesin e vogël, plani ynë parashikon rritjen e nivelit të të ardhurave të biznesit të vogël që të nxirren jashtë skemës së tvSh-së në 12 milionë lekë të reja, ose 120 milionë lekë të vjetra. Deri në 120 milionë lekë të vjetra në vit, biznesi do të paguajnë 0.5 % të xhiros taksë vjetore, me 3 këste dhe me vetëdeklarim. Do të ketë një pullë fiskale e cila do të demonstrohet në ambjentet e jashtme dhe kjo pullë e cila vërteton edhe pagesën me vetëdeklarim të 0.5 % të xhiros do të jetë njëkohësisht edhe urdhëri që çdo inspektor të rrijë larg ambjenteve të biznesit të vogël dhe të mesëm. Kjo është platforma jonë për biznesin e vogël. Ne besojmë se në këtë mënyrë jo vetëm që do të krijojmë një klimë miqësore për biznesin e vogël, duke larguar terrorin e inspektorëve me taksat, por do t’i japim shpresë dhe energji sipërmarrësve të vegjël, të punojnë më shumë, të punojnë më mirë, të rrisin fitimet e tyre dhe të rrisin punësimin si një gjenerator i shpresës dhe burimeve pozitive për gjithë zinxhirin të ekonomisë shqiptare. Sic e thamë 97 % e të punësuarve në Shqipëri i punësoni ju.
Ky është plani për biznesin e vogël. Taksa e sheshtë 9 % për biznesin e madh, 9 % taksë për kontributet shoqërore, ulja e TVSH-së në 15 %. Janë të gjitha masa të cilat nga njëra anë klimën më të mirë për biznesin në rajon dhe nga ana tjetër do të gjenerojë energji pozitive dhe do t’i japë sinjale tregut të kapitalit, një sinjal bankave për të kredituar si dhe sinjal sipërmarrësve për të investuar. Sot po i marrin paratë dhe po i çojnë jashtë shtetit të gjithë. 800 milionë euro kanë nxjerrë jashtë vitin e kaluar. Këtë vit pritet të shkojë në 2 miliardë euro dhe shqiptarët i nxjerrin jashtë vendit të tyre se nuk kanë më besim për shkak të luftës që i bëhet biznesit këtu. Këtu nuk ka më investime të huaja dhe nuk ka më as investime të brendshme. Të gjithë po mendojnë si ta heqin kapitalin dhe si ta heqin familjen nga Shqipëria. Sipërmarrja e vogël mbyll biznesin dhe ikën në emigracion. Po nuk e frenuam këtë, merr fund vendi. I kemi të gjitha mundësitë ta frenojmë këtë.
E kemi pra planin, një plan realist dhe po kështu me vendime të mëdha dhe të forta të cilat do të rikthejnë besimin tek ekonomia shqiptare që i ka të gjitha mundësitë të rritet e të gjenerojë punësim dhe me rroga më të mira për shqiptarët. Por që të ndodhë kjo ne duhet të ndalim një orë e më parë rrokullosjen në greminë të ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare. Është e thjeshtë dhe e kuptueshme për të gjithë dhe nuk ka nevojë për formula të komplikuara. Kemi një grusht njerëzish që i grabit shumicës për t’i dhënë pakicës dhe përsa kohë nuk i japim fund kësaj rrokullisja do të vazhdojë.
Ndaj, përsa i përket biznesit të vogël thirrja ime është kjo. Ngrihuni, refuzojeni, ulni qepenat, bojkotoheni rritjen e TVSh-së me të gjitha format dhe mënyrat që qindra e mijëra anembanë Shqipërisë, do ta detyroni sprapsjen e kësaj mase kriminale dhe shkatërrimtare për ekonominë. Dhe ne do të na keni në krah. Jemi në krahun tuaj sot. Do të jemi në krahun tuaj nesër në grevën që keni paralajmëruar në të gjithë Shqipërinë nga ora 11 deri në 12 dhe do të jemi në krahun tuaj derisa kjo betejë të fitohet dhe derisa ta çmontojmë këtë bandë kriminale që di vetëm të grabisë dhe të ushtrojë padrejtësi ndaj njerëzve. Nuk dua të zgjatem më tej, por dua t’u them që plani ynë është produkt edhe i konsultimit edhe me ju.
I bashkohem edhe njëherë thirrjes tuaj në emër të opozitës. Po kështu dua t’ju garantoj se do të jemi në krahun tuaj nesër dhe në çdo përpjekjen tuaj dhe po kështu t’ju garantoj se në çdo hap të mëtejshëm sot në opozitë dhe nesër kur të kemi përgjegjësitë e qeverisjes, do ta bëjmë në kosnultim të plotë me biznesin e vogël, me grupet e interesit, për të vendosur interesin tuja, të njerëzve dhe interesin publik mbi çdo interes tjetër. Kjo është rruga e drejtë dhe rruga që ne do të ndjekim. Duke njohur përgjegjësitë tona, ju premtoj se me projektin që kemi do të arrijmë jo vetëm t’ju nxjerrim nga gjendja so,t por të rikthejmë shpresën, të mos largoheni nga Shqipëria, por edhe ata që janë largua,r ta kuptojnë se në këtë vend po krijohen dhe do të krijohen kushtet që të kenë mundësinë të krijojnë biznes më mirë se në çdo vend të Europës. Dhe ta bëjnë këtë në vendin e tyre, ku flitet gjuha e tyre, ku kanë lindur prindrit e trye dhe ku duan të rrisin fëmijët e tyre. Kjo është sfida, kjo është detyra dhe ky është misioni i madh që PD dhe opozita i kanë vënë vetes dhe ju jap fjalën se do të jemi në krahun tuaj për t’i realizuar ato të drejta dhe legjitime.
Ndërhyrja e dytë në tryezë nga kryetari Basha pas pyetjes çfarë mund të bëjë opozita për të ndaluar ndryshimin e ligjit për investimet strategjike apo ligjin për konçesionet:
Ne kemi çuar amendamentet për ligjin për investimet strategjike dhe për të gjitha çështjet të cilat po diskutohen sot janë rrëzuar masivisht. 60 amendamente janë çuar në Kuvend, kur është diskutuar paketa e buxhetit dhe janë rrëzuar pa u diskutuar fare. Pra, normale është që opozita të bëjë amendamente dhe maxhoranca i diskuton, pastaj i rrëzon në mënyrë të logjikshme. As nuk janë futur fare të diskutojnë amendamentet që kemi çuar.
Pse?
Sepse këta vetëm fasadën i kanë ruajtur parlamentit dhe institucioneve të tjera, prapa kësaj fasade nuk ka më shtet, ka një bandë, e cila ka vendosur interesin e vet dhe do t’i shkojë deri në fund interesit të vet. E vetmja gjë që mund ta ndalë është reagimi qytetar. E vetmja gjë që e ndali traun ishte reagimi i kuksianëve dhe reagimi i shtetit ndaj kuksianëve duke i trajtuar si grup terrorist është pikërisht për të trembur shqiptarët që të mos reagojmë ne të gjithë. Sepse ata e dinë që po të reagojmë ne të gjithë kjo padrejtësi merr fund. Ky është thelbi të tjerat janë llafe kot. Në qoftë se ne çohemi të gjithë për t’i thënë jo padrejtësisë, jo grabitjes, kjo skemë falimenton brenda 24 orësh, kjo bandë bie brenda 24 orësh.
Prandaj merren me marifete të tilla, marrin burgosin kuksianët, ndërkohë që lirojnë kriminelët. Çojnë për kallëzim deputetë të opozitës, por nuk çojnë për kallëzim ministrat dhe kryebashkiakë të kapur me vjedhje prej miliona euroshe. Skema e tyre falimenton për 24 orë në qoftë se shqiptarët ngrihen.
Prandaj e mbështesim totalisht thirrjen tuaj për grevën nesër. Do t’ju mbështesim, do të jemi pranë jush. Ju kujtoj edhe një herë shqiptarëve se po mbyllen 50 binzese në ditë, sipas të dhënave zyrtare.
Ndërsa paratë që duan të marrin nga biznesi i vogël ai 15 milionëshi do të shkojë i gjithë për luksin qeveritar, jo për njerëzit që nuk kanë bukë të hanë, jo për njerëzit që kanë hequr nga ndihma ekonomike. Kanë hequr 30 mijë familje nga ndihma ekonomike. Nuk po ju fusin ju në skemën e TVSH-së që ato 15 milionë dollarë t’i çojnë për ndihmën ekonomike. Jo, jo ato 15 milionë dollarë do t’i çojnë vetëm për rikonstruksion të godinave të ministrive, për blerje makinash dhe pajisje për zyra 18.4 milionë dollarë. Pra, paratë e biznesit do të shkojnë për luks qeveritar. E thatë edhe vetë e ulë TVSH-në për hotelet me 5 yje dhe ju vënë TVSH-së bizneseve që sigurojnë bukën e gojës.
Lekët tuaja do të shkojnë për inceneratorët, do të shkojnë për Vilmën, do të shkojnë për të gjitha koncensionet korruptive, nuk do të shkojnë për qytetarët. Kjo është grabitje ndaj duhet të ngrihemi e t’i jepni fund kësaj grabitjeje, do ta na keni në krah.
Ju e keni parë që askush nuk është pro vendosjes së TVSH-së. FMN-ja është shprehur kundër vendosjes së TVSH-së për biznesin e vogël, ekspertët e ekonomisë pavarësisht prej spektrit të djathtë apo të majtë janë shprehur kundër, shumica e bizneseve janë kundër, përvoja botërore dhe europiane janë kundër; vetëm dy faktorë janë pro, qeveria e korruptuar e Edi Ramës dhe oligarkët sepse ata janë të vetmit që përfitojnë nga kjo skemë.
Ndaj edhe një herë ju shpreh mbështetjen e plotë të PD dhe opozitës për qëndrimin tuaj dhe për aksionin që paralajmëruat sot. do të jemi në krahun tuaj. Ju bëj thirrje të gjithë sipërmarrësve të vegjël të ngrihen, të bashkohen, të rezistojnë me të gjitha format dhe mënyrat demokratike të mosbindjes qytetare, të mbyllin qepenat, të na kenë në krah. Do të kenë në krah opozitën, jam i bindur që do të kenë në krah qytetarët. Sepse po kështu qytetarët konsumatorë do të goditen egër nga futja e TVSH-së në biznesin e vogël, çka do të reflektohet në rritjen e çmimeve të mallrave të konsumit.
Fjala e kryetarit të Shoqatës së Binzesit të Vogël dhe të Mesëm të Shqipërisë, Albert Nasto:
Siç e dini ne sot jemi në një kohë mjaft kritike, ndofta kohërat më të vështira, mund ta them koha më e zezë që po kalon biznesi i vogël dhe i mesëm, por edhe biznesi shqiptar në përgjithësi.
Gjatë katër viteve të kaluara, nga 2013-2017, janë mbyllur 82 mijë biznese të vogla. Këto të dhëna janë të marra nga INSTAT. Të mbyllen 82 mijë biznese, mbi 90% janë biznes i vogël. Me mbylljen e këtyre bizneseve, azilkërkuesit më të mëdhenj që ikën për të kërkuar azil në Gjermani dhe Europë ishin biznese të vogla, ngaqë u mbyllën dhe nuk do të hapen dot më.
Pse janë mbyllur 82 mijë biznese?
· Shkaku i mbylljes së bizneseve ka qenë taksat më të larta që kemi ne sot në Europë dhe jo vetëm. Janë 36 taksa, plus 1 taksë që u vendos sivjet nga qeveria shqiptare, 37 taksa. Këto taksa rëndojnë aq shumë biznesin e vogël dhe të mesëm që është në 99% e biznesit që operon sot në vendin tonë.
· Çmimi energjisë, çmimi i karburantit; janë çmimet më të larta jo në Europë, por edhe më tej. Janë ndër arsyet pse janë mbyllur dhe kanë falimentuar këto biznese.
· Rënia e fuqisë blerëse, nga viti 2013 deri tani fuqia blerëse ka rënë me 46 %.
· Korrupsioni i madh dhe në rritje nga 2013 deri sot që flasim.
· Kontrollet e shpeshta, çdo kush nga ne se ssa kontrolle ka pësuar në subjektin e vet dhe sa gjoba ka marrë. Nga të dhënat që ka shoqata jonë një biznes është kontrolluar 9-10 herë në ditë. Kryeministri premtoi se do t’i hiqte fare kontrollet.
· Klima për të bërë biznes. A mund të bësh biznes kur kontrollohesh 10 herë në ditë? Do të shesim apo do të rrimë në dispozicion të kontrolleve? Një biznes në Angli kontrollohet një herë në 10 vjet, në Gjermani një herë në 6 vjet, në Maqedoni, një herë në 3-4 vjet. Çfarë modeli do marrim ne, që kontrollohemi kaqë shumë herë. Nuk janë modele nga vendet që ne duam të shkojmë.
· Biznesi do rend dhe qetësi, policia nuk na mbron dot. Sot në qytete ka pasiguri, jemi nën shënjestrën e pasigurisë e frikës për jetën. Ky shtet e ka për detyrë të mbrojë qytetarët e vet dhe biznesin. Biznesi i vogël është pasuri për vendin.
· Gjobat e shpeshta dhe shumë të majme, por kanë qenë edhe shumë selektive. Këto janë metoda diktatoriale, nuk i përkasin një vendi në mes të Europës.
· Shumë biznese kanë falimentuar për shkak të ndryshimit të sistemit të tatimeve dhe taksave.
· Vendosja e TVSH-së për biznesin e vogël dhe të mesëm, nga 5 milionë ta kalosh në 2 milionë do të thotë që 108 mijë biznese që operojnë sot në Shqipëri të mbyllin qepenat, të dalin në rrugë të shesin banane apo diçka tjetër, apo të ikin për azil. Ky është një program i qëllimshëm, i detajuar antikombëtar dhe antibinzes, kur 99% e biznesit që operon në Shqipëri është biznes i vogël. Kjo është një reformë termet. Po krijohet një politikë e ’48-ës duke krijuar një armik të popullit. Janë disa oligarkë që duan të na marirn edhe copën e bukës.
Kjo reformë për ne do të sjellë 50 mijë biznese tw mbyllura për një vit. Gjashtë mujorin e parë 30 mijë biznese të mbyllura dhe 6 mujorin e dytë do të mbyllë rreth 50 mijë biznese në sasi. Si biznese kundërshtojmë vendosjen e taksës, dhe efektet negative do të jenë tërmet për familjet tona, për ekonominë shqiptare.
Thirrja:
Kemi bërë thirrje që të na përkrahin sepse kjo është nga reformat më të rënda që është bërë në 27 vjet. Kjo do të rrënojë biznesin e vogël dhe të mesëm. Ne nuk do të lejojmë këta 4 -5 oligarkë që të na marrin bukën e gojës, bashkë me mediat, bashkë me opozitën, të zgjedhurit tanë, shoqërinë civile, të rinjtë shqiptarë të organizohemi. Sepse mbyllja e qepenave ishte gjysëm lëvizje. Tani e tutje duhet të dinë se biznesi nuk njeh parti, biznesi po shkatërrohet nga kjo qeveri, biznesi po shkatërrohet nga z.Rama.
Çdo biznes në Republikën e Shqipërisë të ulë qepenat, të hyjë në grevë urie, të mbyllim subjektin dhe të protestojmë. Sepse kjo është kauzë e madhe, duhet të fitohet nga ne dhe nga opozita, nga populli shqiptar. Duhet të protestojmë për vendosjen e TVSH-së, për klimën e biznesit, kërkojmë uljen e taksave.
Bëj thirrje Kryeministrit të ndërrojë rrugë sa nuk është vonë, të mbledhë mendjen sepse ndryshe biznesi do të reagojw fort.
Solidarizim dhe mbështetje nga të gjithë populli. TVSH-ja nuk pranohet nga ne, do të jetë shkatërruese për ne.
Bëj thirrje biznesit e vogël dhe te mesëm që nesër nga ora 11:00-12:00, të ulë qepenat e biznesit, t’i themi këtij plani ogurzi për biznesin: Boll më!
Fjala e Nikollaq Neranxi, Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut:
Sipërmarrja private po kalon sot ditët më të këqija që nga viti 1991.
Në 5 vjet Rama ka punuar me këmbëngulje dhe përkushtim si të shkatërrojë tregun e ndershëm dhe të nxjerrë nga tregu të gjithë ne që ndërtojmë me ndershmëri një aktivitet privat e të fusë në treg paratë e krimit, drogës dhe korrupsionit.
Paketat fiskale të miratuara këto vite që ai është në pushtet dhe të rritura deri në absurditet edhe nga Bashkia e Tiranës, ku është përqendruar pjesa më e madhe e bizneseve, kanë qenë vendime kriminale me qëllimin e vetëm për të na falimentuar.
Nëse ne nuk reagojmë fuqishëm tani, të shumtë e të bashkuar siç jemi sot, nesër do të bëhet shumë më keq, sepse e keqja nuk ka fund, sepse Edi Rama nuk ndalet në marrëzinë e tij. Në cilësinë e Krytarit të Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë unë propozoj protesta masive me karakter ekonomik. Të ndalojmë dorën që vjedh përditë në xhepat tanë. Protesta masive kundër taksave absurde që kalojnë mundëistë e biznesit për t’i paguar.
Taksat e Ramës dhe Veliajt janë taksa falimentuese.
Të protestojmë kundër çmimit të lartë të energjisë elektrike
Të protestojmë kundër çmimit të lartë të karburantit, të ujit dhe të çdo formë vjedhje që na bën ky pushtet.
Jo vetëm që na vjedhin, por na tregojnë me gisht se ne nuk po e kuptojmë Ramën, se ai do që të bëjë shtet, ndërsa ne nuk duam të paguajmë. Ne i kemi paguar gjithmonë taksat, nuk jemi kundër pagimit të taksave, por jemi kundër taksave të papërballushme që vendos kjo qeveri kriminale.
Të vetmit që nuk paguajnë taksa në këtë vend janë tregtarët e drogës dhe klientët e pushtetit të cilët bëjnë kontrabandë duke shkatërruar biznesin e ndershëm.
Prandaj është urgjente të mblidhemi të gjithë bizneset të vogla të mesme, të mëdha dhe që e ndjejmë në kurriz krizën “Rama”, të ulim qepenat dhe të dalim në protesta masive derisa ta rrëzojmë këtë kastë të korruptuarish.
Ftoj t’i bashkohen protestës sonë edhe ata qytetarë që nuk kanë biznes, por që mendojnë se taksat e shtuara në faturat e ujit, dritave, banesave të tyre dhe rritja e vazhdueshme është një padrejtësi që po u bëhet!
Merrni faturat me vete në protestë dhe grisini para gjakpirësve. Nëse jemi shumë dhe të bashkuar, ne arrijmë ta ndalim Edi Ramën, sepse në jemi në të drejtën tonë. Duam të jetojmë në këtë vend me dinjitet, jo të nëpërkëmbur dhe të plaçkitur. Kjo qeveri ka hedhur në rrugë qytetarët e thjeshtë, tani do që të hedhë bizneset. Që ta parandalojmë këtë, ju ftoj që nesër nga ora 11.00- 12.0 të ulim qepenat dhe të derdhemi në rrugë derisa Edi Rama të ikë nga pushteti.
(d.d/BalkanWeb)