Një kompani e prodhimit dhe përpunimit të letrës ushqimore ka rënë pre e një mashtrimi kompjuterik, që i ka shkaktuar një dëm prej 4 mijë eurosh, shkruan “Panorama”. Ngjarja është denoncuar pasditen e së hënës nga administratori i këtij biznesi, shtetasi me iniciale E.M., 40 vjeç. Ai ka deklaruar se pagesën online e ka kryer më datë 1 gusht, por mëngjesin e dy ditëve më parë, pasi ka kontaktuar me kompaninë ku supozohej të kishin mbërritur paratë, ka kuptuar se 4 mijë eurot nuk kishin mbërritur në destinacion.

Burimet thanë se administratori i kompanisë ka shpjeguar se paratë i ka derdhur në një numër llogarie me qëllim për të blerë letër jashtë vendit, në një kompani ku kishte kryer blerje edhe më parë.
Por, pas verifikimeve ka rezultuar se adresa e email-it, me anë të të cilës ishte nisur numri fiktiv i llogarisë, nuk ishte ajo e mëparshmja, por e ngjashme me të. Sapo ka vënë re ndryshimin i është drejtuar Policisë, por pasi ishin zhdukur paratë me të cilat do të kryhej blerja e letrës. Policia tha se oficerët e Seksionit për Krimet Kompjuterike kanë nisur menjëherë hetimet për identifikimin e personave që kanë kryer mashtrimin kompjuterik. Nga verifikimet paraprake dyshohet se ndërhyrja është kryer nga Çekia, megjithatë ende nuk është zbuluar me saktësi serveri nga ku është nisur email-i me numër llogarie në adresën e kompanisë së prodhimit e përpunimit të letrës.

“Shtetasi E.M., 40 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një kompanie përpunimi dhe prodhimi letre ushqimore, kallëzon se, nëpërmjet një adresë email-i false, të përafërt me adresën e një firme ku blinte letër jashtë shtetit, i kanë dërguar një numër llogarie, në të cilën më datë 1 gusht ka depozituar një sasi eurosh. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Neni 143/b i Kodit Penal”, tha dje Policia.

Një rast i ngjashëm u denoncua në Policinë e Tiranës edhe disa ditë më parë dhe hetimet i çuan oficerët e Policisë drejt Çekisë. Por mësohet se edhe gjatë muajit të kaluar ka pasur disa mashtrime të tilla kompjuterike, që kryesisht kryhen nga serverë jashtë kufijve të Shqipërisë. Deri tani ende nuk është arritur të ndalohet asnjë prej autorëve të dyshuar, disa prej të cilëve janë identifikuar nga Policia./panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb