TIRANË- Jo një por dy makina i kanë vjedhur një 43-vjeçari me banim në Ndroq të Tiranës gjatë natës së kaluar. Vetë i dëmtuar Gëzim Pojana ka kontaktuar me “BalkanWeb” dhe ka denoncuar rastin, duke thënë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:45 të natës para lokalit të tij, në Lagjen e Re në Ndroq.

Makinat kanë qenë të parkuara në oborrin e lokalit dhe janë zhdukur pa gjurmë. Pas ngjarjes Pojana ka bërë denoncim në Komisariatin numër 6 dhe forca të shumta policie janë vënë në lëvizje për gjetjen e tyre dhe identifikimin e autorëve të vjedhjes.

Dy makinat, siç duken edhe në fotot e siguruara nga “BalkanWeb” janë një “Mercedes Benz, E- Class Evo” e 2009 dhe një “Nissan Navara” e 2004 me vlerë rreth 20 mijë euro.

DËSHMIA
Pronari i dy makinave, 43-vjeçari Gëzim Pojana tha për “BalkanWeb” se nuk dyshon tek asnjëri dhe se nuk ka konflikte por se duket se ky është një plan i organizuar mirë.
“Në mëngjes më zgjoi babai nga ora 5:00 dhe shikon që nuk janë makinat e më merr në telefon. Më pyeti se ku po shkoja, i thashë që jam në gjumë dhe atëherë dolëm me vrap dhe pamë që makinat ishin zhdukur. Unë nuk dyshoj tek njeri por ky duket që është plan i organizuar”, tha Pojana për “BalkanWeb”.

Ndërkaq ai tregon që një bashkëfshatar ka parë dy persona të dyshimtë në orën 11 të natës të kalojnë pranë lokalit. “Një bashkëfshatar na tha që kishte parë dy persona me fuoristradë para lokalit nga ora 11 e natës. Fatkeqësisht lokali nuk ka kamera por policia ka marrë pamjet e kamerave të karburanteve pranë. Grabitësit kanë thyer bravën e derës së jashtme të rrethimit dhe kanë hyrë brenda më pas ku kanë marrë makinat. Kanë përdorur kaçavidë se e kemi gjetur një pjesë në oborr”, tregon 43-vjeçari.

vidhet-makina-ne-ndroq.1pgvidhet-makina-ne-ndroq

POLICIA
Ndërkaq policia deklaron se pronari i automjeteve ka bërë denoncim rreth orës 5:30 të mëngjesit në Komisariatin numër 6. Mësohet se 43-vjeçari ka deklaruar se çelësat e automjeteve i ka lënë brenda, për shkak se ato ndodheshin brenda rrethimit të lokalit. Nga pamjet e kamerave të karburanteve është zbuluar se autorët kanë kaluar në Romanat në orën 4:05 të mëngjesit. Pra mund të kenë ikur në drejtim të Durrësit ose Shijakut, duke llogaritur kohën që duhej nga Ndroqi deri në Romanat, policia ka dalë në rezultatin se vjedhja ka ndodhur 20 minuta para këtij orari. Policia ka gjetur bravën e derës të thyer dhe një pjesë të kaçavidës së përdorur.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: