Nga Klodjana Haxhiaj

Prefekti i Durrësit Emiljan Jani ka reaguar në një intervistë për News24 e “BalkanWeb”, për ndalimin e autobusëve me pushues nga Kosova tek “Ura e Dajlanit”.

Jani, i cili është edhe kryetar i shtabit për turizmin tha se pa praninë e operatorëve turistikë dhe të grupeve të interesit, por me praninë e policisë së qarkullimit rrugor dhe të drejtorisë së rrugëve e specialistëve të prefekturës u vendos devijimi i trafikut për pushuesit që mbërrijnë nga Kosova.

Sipas Janit, autobusët e turistëve nga Kosova duhet të kalojnë nëpër unazën e plazhit dhe të mbërrijnë nëpërmjet rrugëve dytësore të kësaj zone në afërsi të rrugës “Pavarësia”.

Jani pranon se nga ky vendim i marrë prej institucioneve në Durrës përjashtohen autobusët me turistë që vijnë nga vende të tjera në plazhin e Durrësit.

Autobusët me turistë të huaj qarkullojnë pa asnjë problem në rrugën e plazhit, sepse sipas prefektit janë më të pakët në numër sesa autobusët me kosovarë.

Të gjithë pushuesit e mbërritur nga Kosova por edhe shoferët e tyre nuk kanë qenë në dijeni të këtyre masave që mori pushteti lokal, Ata e konsiderojnë diskriminim, bllokimin e rrugës “Pavarësia” të Plazhit vetëm për ta.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb