TIRANË- Kreu i LIBRA-s, Ben Blushi i ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24 foli për domosdoshmërinë e mbajtjes së zgjedhjeve më 18 qershor dhe shprehu gatishmërinë e forcës që drejton për të qenë pjesë e tyre edhe nëse nuk marrin pjesë PS dhe LSI.

Blushi tha se në këtë situatë nuk duhet të lejohet sekuestrimi i zgjedhjeve.

“Ne jemi regjistruar të parët. Nëse të tjerët i lënë atletet në shtëpi, s’kemi pse lëmë garën. Këtë që po ndodh e quaj sekuestrim. Po na e sekuestrojnë këtë të drejtë, na kanë hequr një privilegj. Nëse partitë bëjnë marrëveshje thonë nuk keni të drejtë të votoni, kush humb këtu, partitë apo ne? çdo bëjmë ne? Do rrimë në shtëpi. Kjo quhet sekuestrim i së drejtës së votës. Prandaj duhet të bëjmë presion për të shkuar në zgjedhje me çdo kusht. Dua që të hyjë edhe PD në zgjedhje pasi janë tre kërpudha, tre çadra që kanë zënë rrugën, janë ulur në bulevardin e integrimit”,- tha Blushi.

E duke u ndalur tek procesi i zgjedhjeve, Blushi tha se në mes të javës tjetër LIBRA do ketë gati listën e kandidatëve që do hyjnë në zgjedhjeve.

“LIBRA shkon më 18 qershor në zgjedhje edhe nëse PS dhe LSI nuk shkojnë. Jemi duke bërë listën e kandidatëve. Kemi bërë një proces të hapur, prej një muaji kemi kërkuar on line që kushdo është i lirë të garojë për LIBRA-n. Janë 200 qytetarë që kanë pranuar të kandidojnë”,- shtoi Blushi.

Hyrjen në zgjedhje Blushi e sheh edhe si mundësinë e krijimit të një Parlamenti pa kafshët ekzotike, që sipas tij përbëhet nga bandat e tokave, bandat e ilaçeve, etj.

“Parlamenti është një dyqan ligjesh. Bandat e mbetjeve e porositën ligjin e mbetjeve dhe kështu me radhë”, shtoi ai.

Duke shpjeguar marrëdhënien mes dy aleatëve, Ramës e Metës, Blushi thotë se shkaqet që i bëjnë të varen nga njëri-tjetri, sidomos Ramën nga Meta janë thjeshtë matematikore. “Rama nuk shkon në zgjedhje pa Metën se nuk ka vota, këtu ka matematikë të ngurtë zgjedhore. Nuk shkon dot se nuk ka votat, e s’ia del dot pa Metën. Nga ana tjetër Meta është duke pritur PD-në”,- sqaron ai.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: