TIRANË- Deputeti i LIBRA-s Ben Blushi ka folur pas seancës së sotme ku u zhvillua raundi i parë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

Ai tha se kanë ndodhur dy ngjarje të paharrueshme duke iu referuar kërkesës së PS-LSI për shtyrjen e afateve për regjistrimin e koalicioneve dhe seancës për Presidentin.

“Janë dy ngjarje të paharrueshme. Kërkesë absurde e Ramës dhe Metës që me një copë letër duan të ndryshojnë kodin zgjedhor duke shpërfillur një nen. Kush ka të drejtë të ndryshojë me një copë letër kodin zgjedhor të Republikës së Shqipërisë dhe nëse KQZ e merr përsipër këtë nen ka shkatërruar komplet zgjedhjet.
Nëqoftëse 18 prilli ndryshon padrejtësisht nga KQZ edhe 18 qershori ka rënë për reciprocitet ligjor dhe logjik”, tha Blushi.

Sipas tij të shtysh 18 prillin do të thotë të ndryshosh kalendarin.
“Ne jemi regjistruar që në shkurt. Ne nuk kanë dashur të na regjistrojnë, këta që s’duan po shtyjnë afatin që t’i regjistrojnë. Të shtysh 18 prillin është si të shtysh shkurtin në mars, do të thotë të shtysh kalendarin”, tha deputeti i LIBRA-s.

Sipas tij seanca për Presidentin e ri ishte bajate. “A keni parë seancë më bajate se kjo. Mblidhet një parlament me një shumicë që pretendon se ka 84 vota dhe nuk përzgjedh dot një kandidat”, tha Blushi.

Nga ana tjetër Blushi duke ironizuar protestën e PD-së, theksoi se e gjithë Shqipëria është në një çadër.

“Edhe presidenti pse të shtyhej? Pse s’ka kandidat? Ky koalicion nuk ka funksionuar dhe do funksionojë. Jemi në çadër eh? Se e gjithë Shqipëria është në çadër. Ne nuk futemi në asnjë çadër. Një republikë, një parlament që s’ka mundësi të bëjë zgjedhjet, të zgjedh presidentin dhe të vazhdojë reformën në drejtësi, atëherë s’ka qeveri. Ajo që më shqetëson është se këto partitë e vjetra, këto tre çadra, këto tre kërpudha po i marrin zgjedhjet shqiptarëve. Republika në këtë ditë ka rënë. Çadrat e tuaja janë më të bukura se ato të PD-së.”, tha ai.
(m.k/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: