Një emër tjetër i futbollit italian ka shprehur gatishmërinë për të marrë drejtimin e kombëtares shqiptare. Pas Valter Zengës, ish-potierit të Inter dhe Italisë, Bortolo Muti, sipas raportimeve të mediave italiane i ka shprehur Armando Dukës se është gati të marrë drejtimin e Shqipërisë.

“Falë disa ndërmjetësve, m’u kërkua gatishmëria për të marrë në eventualitetin e mundshëm, detyrën e trajnerit të kombëtares. I kam kthyer përgjigje pozitive, është një kënaqësi të përfshihesh në listën e trajnerëve të mundshëm të së ardhmes të Kombëtares shqiptare”, deklaroi Muti për “calciomercato.it”.

Muti nuk është një emër i panjohur në futboll, por edhe jashtë saj. Në karrierën e tij numëron eksperienca si në kampionatin elitar në Itali, Seria A, ashtu edhe në Seria B.

Emri i Bortolo Muti ka edhe një njollë që nuk ka shumë lidhje me futbollin e fushave. Ai ka qenë i dënuar me 4 muaj pezullim për çështjen e manipulimeve të ndeshjeve në favor të basteve sportive në periudhën kur drejtonte Barin. Kjo ka bërë që prej katër vitesh të hasë vështirësi për të gjetur skuadër.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb