BRUKSEL– Ministrat e Financave të Eurozonës do të takohen sot për të arritur një marrëveshje që do të lejojë Greqinë të marrë këstin e nevojshëm të shpëtimit për të shmangur falimentimin.

Takimi, ku gjithashtu do të jetë i pranishëm shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Christine Lagarde, mund të jetë shansi i fundit për të ndërmjetësuar një marrëveshje mbi kushtet e disbursimit të shtatë miliardë eurove (7,86 miliardë dollarë) të nevojshme për Athinën për të shlyer borxhin në korrik.

Kreditorët ndërkombëtarë kanë qenë të ndarë për mënyrën se si të vazhdojnë me shpëtimin për herë të tretë të vendit që kur Greqia u fut në një krizë financiare shtatë vjet më parë.

Gjermania dëshiron që FMN-ja të bashkohet me këstin e shpëtimit prej 86 miliardë eurosh që përfundon vitin e ardhshëm. FMN-ja e kushtëzon pjesëmarrjen e saj në zvogëlimin e barrës së borxheve të vjetra derisa të arrijë një nivel në të cilin mund të përballojë ripagesat.

Kjo mund të nënkuptojë një maturim më të gjatë dhe norma më të ulëta interesi.

Megjithatë, ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schaeuble këmbëngul në mbajtjen e kushteve ekzistuese deri në skadimin e këstit të shpëtimit dhe ndoshta duke negociuar lehtësimin e tyre në 2018, pas zgjedhjeve të përgjithshme gjermane këtë shtator.

Presidenti grek, Prokopis Pavlopulos i kërkoi Schaeuble të lejonte lehtësimin e borxhit dhe të zhbllokonte fondet e ndihmës.

Zyrtarët e BE-së thanë se ata presin që të arrijnë një marrëveshje në takimin e ditës së sotme.

Gjatë vizitës së ministrit francez të Financave, Bruno Le Maire në Athinë të hënën, u diskutua një propozim i mundshëm i kompromisit i cili mbështeste ritmin e ripagimit ndaj rritjes ekonomike greke , Athina do të paguante më shumë kur ekonomia e saj të ishte në rritje dhe më pak kur ritmi i saj të ngadalësohej.

Kryeministri grek, Aleksis Cipras e mbështeti propozimin pas takimit me kabinetin të martën.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb