PRISHTINE- Kryetari i Parlamentit të Kosovës Kadri Veseli dhe kryeministri Isa Mustafa kanë zhvilluar bisedë telefonike më zëvendës ndihmës Sekretarin e Shtetit për çështjet evropiane dhe euro-aziatike, Hoyt Brian Yee, për siç thuhet zhvillimet politike në Kosovë dhe bashkëpunimin në mes Kosovës dhe SHBA-së”.

Në një komunikatë për mediat nga Kuvendi thuhet se zoti Veseli dhe Yee kanë rënë dakord që marrëveshja për shënimin e kufirit me Malin e Zi të dërgohet nga qeveria javën e ardhshme në parlament. “Gjatë bisedës me diplomatin amerikan, kryetari Veseli u shpreh se institucionet e Kosovës duhet të marrin vendime të mëdha, sepse, në të kundërtën, ato e humbin kuptimin. Në këtë drejtim, ata u pajtuan që Demarkacioni të procedohet nga qeveria për miratim në parlament javën tjetër”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa, në komunikatën e qeverisë së Kosovës thuhet se, “kryeministri Mustafa e falënderoi për përkrahjen e pazëvendësueshme të Shteteve të Bashkuara për Kosovën, duke theksuar përkushtimin e qeverisë së Kosovës për zgjerimin e bashkëpunimit dhe partneritetit strategjik me SHBA-të, në të gjitha fushat”.

Në komunikatat e institucioneve të Kosovës thuhet se “zoti Yee ka vlerësuar përkushtimin e institucioneve të Kosovës për avancimin e proceseve në vend, duke përfshirë gatishmërinë për partneritet të plotë me SHBA-të dhe NATO-n në procesin e shndërrimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës”.
Po ashtu në komunikatë thuhet se “kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendës ndihmës sekretari amerikan, Hoyt Yee, kanë biseduar edhe për procesin e ratifikimit nga Parlamenti i Kosovës të Marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi dhe nevojën që kjo marrëveshje të ratifikohet sa më shpejtë, si konfirmim i rrugës evropiane të Kosovës”, shkruan express.

Qeveria ka paralajmëruar dërgimin e kësaj marrëveshje gjatë këtij muaji në parlament, por sfidë ende mbetet sigurimi i votave të mjaftueshme, ku kërkohen dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve.
Një dështim i këtij votimi, sipas vëzhguesve, do të mund ta çonte vendin në zgjedhje të parakohshme, pasi që sipas tyre koalicioni aktual është formuar për të çuar përpara çështjet me rëndësi për Kosovën. Por, çështja e zgjedhjeve përveç konsensusit të brendshëm kërkon edhe bashkërendim me mekanizmat ndërkombëtarë në Kosovë, që të paktën deri tash nuk kanë dhënë asnjë shenjë se mund të mbështesin zgjedhjet e parakohshme.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: