SHKODËR- Policia e Shkodrës ka parandaluar përshkallëzimin e një konflikti familjar duke arrestuar një 67-vjeçar pas denoncimit të bashkëshortes së tij.

Në sallën e komandimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër ka ardhur një telefonatë për një konflikt familjar në Velipojë. Një grua ka telefonuar policinë duke thënë ‘se burri kërkonte ta vriste’.

Menjëherë shërbimet e Stacionit të Policisë Velipojë kanë shkuar në banesë ku kanë marrë kontakt me shtetasen T. M. 62 vjeçe, e cila ka deklaruar se është kanosur me fjalë nga bashkëshorti i saj. Kjo shtetase është e pajisur edhe me urdhër mbrojtje më parë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesë, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri Automatik model 56, me 3 krehra dhe 300 fishekë.

Në përfundim të veprimeve të para është arrestuar në flagrancë shtetasi:
Shefqet Muça 67 vjeç, banues në Shkodër.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb