TIRANE– Përmes një statusi në rrjetin social ‘Facebook’, Ditmir Bushati thotë se interpretimi që i bëri kreu i PD, Lulzim Basha, qëndrimit të SHBA-së kur tha se thirrja e DASH nuk është që partitë të futen në zgjedhje është absurd. Bushati shprehet se thirrja e DASH është për datën kushtetuese të zgjedhjeve, pra për 18 qershorin.

“Absurd interpretimi i Lulzim Bashës për qëndrimin e prerë të SHBA, që nuk luajnë me Kushtetutën e parimet themelore për një shoqëri demokratike. Thirrja është për datën kushtetuese të zgjedhjeve, për 18 qershorin! Është në interesin e PD që të pushojë diversionin e baltën ndaj miqve e partnerëve strategjikë të Shqipërisë dhe të marrë përsipër përgjegjësitë ndaj votuesve të saj!”- shkruan Bushati në ‘Facebook’.

Kujtojmë se më herët Departamenti Amerikan i Shtetit u bëri thirrje të gjitha partive politike në Shqipëri të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Në një deklaratë të lëshuar të enjten, thuhet se Nënsekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Politike, Ambasador Thomas A. Shannon, u takua me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë Ditmir Bushati, për të folur mbi interesat e përbashkëta në marrëdhëniet dypalëshe dhe në rajon.

Nënsekretari Shannon, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit, riafirmoi partneritetin e ngushtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, mbështetjen e fortë të SHBA ndaj përpjekjeve të Shqipërisë për reformën e gjyqësorit dhe angazhimin e përbashkët ndaj vlerave demokratike, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: