TIRANE – Studentja 20­vjeçare, që u vetëvra mbrëmjen e së mërkurës duket se e kishte planifikuar mirë aktin e vetëvrasjes. Ajo pasi piu kafe me të dashurin, zgjodhi pallatin ku banonte ai në “Rrugën e Kavajës”, pranë Parkut të Autobusëve, për t’u vetëvrarë. Klea Shyti u ngjit në katin e 11-të të pallatit dhe vendosi që të hidhej nga që andej në sheshpushimin e brendshëm të godinës, shkruan Panorama.

Studentja e Fakultetit të Ekonomisë në Tiranë, në kushte të vështira, la çantën e dorës me sendet personale në derën e një apartamenti aty pranë, përpara se të hidhej nga kati i 11-të. Vetëvrasjen, 20-vjeçarja kërkoi ta bënte demonstrative. Ajo mbajti aparatin celular në xhep, ndërsa nxori kartën e identitetit nga portofoli dhe e mbajti në dorë. Karta iu gjet nga policia në dorë, dhe ndoshta ky veprim ishte bërë prej saj që të identifikohej më lehtë nga policia.

Sipas burimeve brenda forcave blu, ngjarja ndodhi rreth orës 21:00 të mbrëmjes të së enjtes. Studentja, e cila banonte pranë gjimnazit “Partizani” në Tiranë nuk kishte shumë kohë që kishte dalë nga një lidhje e dështuar dashurie. Ajo ishte takuar me ish të dashurin para vetëvrasjes dhe kishin debatuar.

JA ÇFARË DËSHMOI ISH-I DASHURI NË POLICI
Ish ­i dashuri i studentes së Ekonomikut që i dha fund jetës duke u hedhur nga pjesa e brendshme e shkallëve nga kati 11 i pallatit, ka pranuar se ata ishin ndarë prej disa ditësh.

Në orët e pasdites Policia mundi ta identifikojë atë dhe e shoqëroi për të dhënë shpjegime, lidhur me ngjarjen. Djali tregoi se vetëm tri orë para se të ndodhte ngjarja kishte pirë kafe me Klean, në një lokal jo shumë larg vendit të ngjarjes. Ai ka treguar se ishte ndarë prej disa ditësh me të dhe të mërkurën ajo i ka telefonuar për të pirë një kafe, duke i kërkuar që të lidheshin sërish. Por ai nuk ka pranuar.

“Edhe pse ishim ndarë, unë takohesha shpesh me Klean. E ruanim miqësinë, por unë nuk doja më tepër se miqësi edhe pse ajo këmbëngulte. Kur u ndava dje (të mërkurën) nga ajo, pasi dolëm nga kafja, nuk më dha përshtypjen se mund të bënte diçka të tillë. U trondita shumë kur e mora vesh dhe më vjen shumë keq për këtë”, është shprehur ish ­i dashuri i Kleas para oficerëve të Policisë në Komisariatin nr.2.

Fillimisht policia e ka pasur të vështirë zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Madje deri mesditën e djeshme, paralelisht me vetëvrasjen, po hetohej edhe ndonjë ngjarje më e rëndë se kaq, pasi nuk përjashtohej mundësia që dikush mund ta kishte shtyrë nga atje. Megjithatë, pas autopsisë, këqyrjes së vendngjarjes dhe pyetjes së dëshmitarëve, është hedhur poshtë mundësia e ndonjë vrasjeje, pasi është vërtetuar se bëhej fjalë për vetëvrasje.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: