STAMBOLL– Ministri i Jashtëm, Mevlut Çavushoglu paralajmëroi qeverinë gjermane për pasoja, ndërkohë që marrëdhëniet mes dy vendeve u përkeqësuan pas anulimit të një tubimi elektoral të disa qeveritarëve turq në Gjermani.

“Nëse kërkoni të punoni me ne, atëhere duhet të mësoni sesi të silleni me ne”, deklaroi Çavoshuglu për agjencinë zyrtare turke të lajmeve, Anadolu Agency.

“Ju duhet të mendoni për pasojat. Ju nuk jeni të klasit të parë dhe Turqia e klasit të dytë”, theksoi ai.

Qyteti gjerman i Gagenaut, në jugperëndim të vendit, ndaloi dje një tubim elektoral të ministrit turk të Drejtësisë, Bekir Bozdag.

Autoritetet lokale cituan arsye sigurie dhe kapacitete të pamjaftueshme për ndalimin e këtij tubimi, në prag të një referendumi në Turqi për ndryshimet kushtetuese, që do të forcojnë pushtetin e presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Ky referendum do të zhvillohet më 16 prill, ndërkohë që në Gjermani jetojnë rreth tre milionë turq, rreth gjysma e të cilëve me të drejtë vote.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb