NGA: FATMIRA NIKOLLI*
Pas suksesit të një viti më parë, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Turizmit, portali unik qeveritar e-albania organizon për të dytin vit radhazi konkursin mbarëshqiptar të turizmit. Me temën “Turizëm për të gjithë”, Dita Ndërkombëtare e Turizmit synon këtë vit të shpërndajë fjalën për rëndësinë dhe përfitimet e pafundme, që turizmi ka dhe mund të sjellë për shoqërinë në përgjithësi. Duke qenë se Shqipëria është një vend me një potencial të madh turistik, ku gjenden gjithashtu dhjetëra vendndodhje të trashëgimisë kulturore, të gjithë të apasionuarit pas fotografisë, pikturës, reportazheve të shkurtra dhe eseve do të kenë mundësinë të nxjerrin në pah bukurinë dhe veçantinë e vendit tonë.

Konkursi përbëhet nga tri kategori: fotografi/pikturë, video dhe ese, të cilat kanë një temë të përbashkët: turizmin shqiptar. Fotografitë duhet të jenë të zhanrit artistik, të bëra gjatë udhëtimeve turistike në Shqipëri si dhe pikturat të kenë në sfond zona turistike shqiptare. Videot duhet të jenë në formën e reportazheve të shkurtra, të realizuara gjatë udhëtimeve turistike në Shqipëri. Esetë duhet të jenë shkrime në të cilat të reflektohet një eksperiencë mbresëlënëse apo një vështirësi me të cilën është ndeshur personi gjatë një udhëtimi turistik në Shqipëri.

KRITERET E APLIKIMIT
Dërgimi i materialeve realizohet nëpërmjet portalit qeveritar e-albania. Për të dërguar aplikimin duhet të jeni përdorues i regjistruar i portalit (klikoni këtu për t’u regjistruar). Çdo përdorues i portalit mund të dërgojë në total 5 aplikime (për të gjitha kategoritë e konkursit). Kriteret e aplikimit për kategorinë fotografi/pikturë: Fotografitë/pikturat duhet të jenë materiale autentike tuajat. Madhësia maksimale e skedarit nuk duhet të kalojë 4 MB si dhe nuk duhet të përmbajë shkronjën “ë” ose “ç” në emërtim, titulli që shoqëron aplikimin nuk duhet të kalojë 100 karaktere, përshkrimi që shoqëron aplikimin nuk duhet të kalojë 700 karaktere.

Kriteret e aplikimit për kategorinë video: Duhet të jetë reportazh autentik i juaji, nuk duhet të kalojë minutazhin maksimal prej 10 minutash, titulli që shoqëron aplikimin nuk duhet të kalojë 100 karaktere, përshkrimi që shoqëron aplikimin nuk duhet të kalojë 700 karaktere. Kriteret e aplikimit për kategorinë ese: Eseja duhet të jetë shkrim autentik i juaji, madhësia maksimale e skedarit nuk duhet të kalojë 4 MB si dhe nuk duhet të përmbajë shkronjën “ë” ose “ç” në emërtim, numri i fjalëve në ese nuk duhet të jetë më tepër se 1000, titulli që shoqëron aplikimin nuk duhet të kalojë 100 karaktere, përshkrimi që shoqëron aplikimin nuk duhet të kalojë 700 karaktere. Kriteret e vlerësimit- përcaktimi i fituesve të konkursit do të realizohet përmes një votimi online në portalin e-albania, ku çdo përdorues i e-albania do të ketë mundësi të votojë një numër të pakufizuar aplikimesh për çdo kategori, duke dhënë një votë në total për çdo aplikim të parapëlqyer. Konkursi do të kurorëzojë 3 fitues, ku një aplikant fitues gëzon të drejtën e fitimit të vetëm një pakete dhuratë. Çmimi i parë, i cili përfshin një paketë udhëtimi çift për rafting në lumin Vjosë (Përmet), duke përfshirë dhe akomodimin në hotel, nga agjencia “Albania Rafting Group”, do t’i jepet aplikantit që do të ketë aplikimin me numrin më të madh të votave në konkurs. Secili prej dy fituesve të çmimit të dytë dhe të tretë do të përfitojë një paketë turistike dyditore në një prej dy destinacioneve të ndryshme të ofruara, Valbonë dhe Theth, për të eksploruar Shqipërinë.
(ed.me/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: