Menu Krye Të Fundit | Shqipëria |

Çështja “Bami”/ Akuza për kallëzim të rremë, Tom Doshi: Të shtyhet gjyqi, ja arsyeja (Video)

tom-doshi1

Nga Klodiana Lala
“Jam në kulmin e fushatës elektorale dhe kësisoj në pamundësi absolute për t’u paraqitur në gjykatë. Duke e konsideruar si provë tejet të rëndësishme videopërgjimin mes meje dhe Durim Bamit, kërkoj nga ana juaj të shtyhet seanca dhe të më jepet mundësia të jem personalisht i pranishëm”.

Kjo ishte kërkesa që deputeti i Shkodrës Tom Doshi i bëri përmes avokatëve të tij gjykatës së Lartë, e cila po shqyrton akuzat penale ndaj tij dhe dy të pandehurve të tjerë, ish-deputeti kristiandemokrat Mark Frroku dhe Durim Bami.

Avokatët argumentuan më tej, se dy videopërgjimet njëri i realizuar nga Doshi dhe tjetri nga prokuroria, ku në këtë të fundit shfaqet dhe vetë deputeti, janë prova që mund të interpretohen më së miri nga i mbrojturi prej tyre.

Gjykatësja Arjana Fullani pyeti nëse mund të vazhdohej me administrimin e akteve të tjera shkresore, por avokatët thanë se çdo provë lidhet direkt me dy videopërgjimet. Ndaj në këto kushte, kolegji penal me relatore Evelina Qirjakon vendosi t’i japë Tom Doshit kohe deri më 13 korrik, ditë kur duhet të paraqitet në gjykatën supreme për tu ballafaquar me provat.

Në këtë mënyrë, duket se Doshi i ktheu reston prokurorisë, e cila një seancë më herët tha se krerët e politikë të cilët do të dëshmojnë në procesin Doshi-Frroku-Bami, do të pyeten në seancat e pas 25 qershorit për shkak të angazhimit në fushatë elektorale.

Ndërkohë, për të pandehurin Durim Bami janë të numëruara ditët për të dalë në liri të plotë. Edhe pse kolegji penal e rrëzoi kërkesën e avokatit Ilir Murati për shuarjen e masës së sigurisë së të pandehurit Bami, vetë prokurori pranoi se masa e humbet fuqinë me datë 30 qershor.

Gjykata e orientoi avokatin të bënte një kërkesë të re kur të përfundonte afati I përllogaritur për Bamin nga ana e prokurorisë.

Tom Dosh, ish-kolegu i tij Mark Frroku dhe Durim Bami akuzohen për kallëzim të rremë kryer në bashkëpunim. Sipas prokurorisë, të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin krijuan prova të rreme me qëllim që ndaj kryeparlamentarit Ilir Meta tashmë president i zgjedhur të niste një hetim penal.

(m.k/BalkanWeb)



Komente ( 3 )

KOMENTO

*E-mail nuk do te publikohet.
Komenti juaj do publikohet brënda 3 orëve , nëse përdorni fjalor ofendues , komenti nuk do të publikohet nga moderatori .


Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.