Partizani, pas eliminimit nga Liga e Europës, ka marrë pushimet, të cilat do të zgjasin deri në fund të korrikut. Gjatë kësaj periudhe pushimi, drejtuesit e lartë pritet që të ngrenë strukturat e reja të klubit, ku pjesë e riformatimit shikohet edhe gjetja e pasuesit të Sulejman Starovës në krye të pankinës.

Trajneri i Luftëtarit të sezonit të fundit, Mladen Milinkoviç, shikohet si më i adhuruari për dashamirësit e kuq dhe mësohet se edhe klubi po punon në këtë pistë. Trajneri serb e ka pranuar vetë kohë më parë për “Panorama Sport” se nuk i thuhet “jo” Partizanit. Milinkoviç gëzon edhe respektin e presidentit Gaz Demi, por trajneri i ri i “demave” mbetet kompetencë e Luçiano Moxhit, i cili është arkitekti i skuadrës së sezonit të ri.

Mësohet se gjatë ditëve të fundit, Moxhi ka pasur një takim me menaxherin e trajnerit serb, Paskal Papadopulos, i cili është edhe themeluesi i agjencisë “PPA World”. Mësohet se bisedimet nuk kanë pasur lidhje vetëm me mundësinë e afrimit të trajnerit Mladen Milinkoviç, por edhe në zgjerimin e bashkëpunimit me agjencinë e Papadopulosit, i cili ka në menaxhim disa futbollistë të ndryshëm.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb