TIRANË- Kryeopozitari Lulzim Basha deklaroi nga çadra e lirisë se ora e fitores së Republikës së Re po afron dhe se nga ora në orë njerëzit po bashkohen për të mos lejuar marrjen peng të demokracisë dhe të drejtën për zgjedhje të lira.

Duke iu drejtuar kryeministrit Rama, Basha tha se vetëm ky bashkim i shqiptarëve do mund të ndalë pazaret dhe komplotet politike.

“Dua t’i them qartë Edi Ramës se në asnjë mënyrë, në asnjë formë, në asnjë moment nuk do të lejojmë të marrësh peng demokracinë dhe të drejtën për zgjedhe të lira e të ndershme. Shqiptarët po bashkohen nga ora në orë, ky bashkim është forca e vetme që do të ndalë komplotin politik dhe ekonomik. Ky bashkim paqësor, por i pathyeshëm është garancia e re e republikës që po vjen. Asgjë nuk do ta ndalë! Zoti është me të drejtën, Zoti është me Shqipërinë! Fitorja po afron”,- paralajmëroi Basha.

Kryedemokrati nënvizoi ndër të tjera se postin e Presidentit, pasi i hoqën kompetencat, po e përdorin si plaçkë “për të mbyllur pazarin e pisët”, siç tha ai. E gjithë kjo, sipas Bashës bëhet për të shmangur orën e gjykimit.

“Tani që dështim i tij në ekonomi, shëndetësi, arsim, drejtësi, dekriminalizim u shpalos ashiqare, tani që ka vendosur karrigen e tij si një pengesë e vetme mes një populli që kërkon zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe një kupole kriminale që bën pazare, se rruga e vetme e shpëtimit është qeveria teknike si garante e zgjedhjeve të lira e të ndershme duke zbatuar dekriminalizimin, përfshi votim dhe numërim elektronik dhe që në orët e para të Republikës së Re zbatimin e vettingut, që i trembet si vampiri dritës së diellit. Ja pra ora e të vërtetës është ulur këmbëkryq në këtë vend. Kush e do vettingun bashkohet në këtë rrugë, e vetmja rrugë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ne e dimë shumë mirë pse Edi Rama e refuzon ofertën qytetarë për dialog, ka mijëra bëma dhe gjëma të shpalosura në këtë shesh, janë faqosur në mediat kryesore të botës. Këto janë ankthet dhe frikërat pse nuk pranon as vetting as zgjedhje të ndershme”,- tha ai.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb