Antonio Conte pavarësisht tre afrimeve që “blutë” e Londrës kanë bërë deri më tani, nuk është i kënaqur me merkaton. Mesa duket tekniku i Chelsea edhe pse ka arritur të sigurojë shërbimet e Antonio Rudiger, Timoue Bakayoko dhe Willi Caballero, është i zhgënjyer me merkaton që po zhvillojnë drejtuesit e klubit anglez.

Italiani iu kishte bërë të qartë se kërkonte të kishte në ekip Romelu Lukaku-n dhe Leonardo Bonucci-n, por tashmë pas transferimeve të tyre në ekipet respektive, “The Sun” sqaron se Conte-s i ka humbur dëshira për të rinovuar kontratën që deri një muaj më parë dukej çështje ditësh.

Një tjetër kërkesë e tij ishte dhe ajo për një tjetër mbrojtës nga radhët e Juventusit, Alex Sandro. Oferta e bërë në drejtim të brazilianit është refuzuar nga drejtuesit e “Zonjës së Vjetër”. Një seri episodesh të pakëndshme, të cilat kanë përcjellur pakënaqësi dhe kanë ngritur hije dyshimi përsa i përket të ardhmes se Antonio Contes në stolin e kampionëve të Anglisë.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb