Trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu, ka deklaruar se ndeshja e sotme ndaj Tiranës ka qenë një nga më të vështirat e karrierës, pro gjithashtu një nga momentet më emocionuese të jetës së tij. Ai deklaroi në “Gol pas Goli” se Vllaznia nuk kishte qenë në gjendje që të jepte një premio për kundërshtaret e tij.

“Vllaznia nuk kishte as 1 mijë lekë të vjetra për të dhënë. Po t’i kishte do i jepte me kohë, që të mos mbërrinte në këtë pikë”, tha ai.

Për momentet pas ndeshjes përkrah Mirel Josës
“Për të qenë i sinqertë jam një person që mundohem të respektoj vlerat. Nëse bëhet fjalë për Tiranën është vlerë e madhe e futbollit. Nuk e kisha menduar kurrë që do të përballen dy emrat më të mëdhenj të futbollit shqiptar për të qëndruar.

Nuk e nderon absolutisht futbollin shqiptar kjo gjë. Mërzia nuk është vetëm për Tiranën, është për të gjithë futbollin. Kam respekt maksimal për ekipin dhe trajnerin, Josa është një mik. Por sporti është i tillë, profesioni është i tillë. Nuk do të doja kurrë që të ndodhte kjo situatë por ja që erdhi”.

Për situatën me të cilën u përball Vllaznia
“Këta që e njohim Vllazninë besoj se e dinë që nuk mund t’i ketë ndodhur ekipi në botë ajo që na ndodhi ne. Ishte një ekip i arnuar, në fushë ishte gjysma e ekipit të sezonit. Kishim ndërtuar llogarinë gjatë sezonit me ekip të caktuar dhe sot nuk ishin ata lojtarë, për arsye të ndryshme, për dëmtime apo gjëra të tjera që nuk nderojnë emrin e futbollistëve.

Kishim në fushë shumë të ri dhe Mulemon i cili kishte shumë problematika, me dëmtime, me injeksione. Kemi futur në lojë tre lojtarë me injeksion. Kemi marrë lojtarë nga U-19 për të përballuar ndeshjen edhe pse nuk janë për një ndeshje të tillë.

Në këtë situatë është të mos dish çfarë të bësh, lëvizje në fushë, arnime nga më të ndryshmet. Si ide loje e kishim përgatitur që të mbanin sa më larg Tiranën. Nuk menduam vetëm për barazim, hymë me mendjen për të fituar”.

Për ecurinë e ndeshjes
“Pjesa e parë e parë foli mirë për ne, kishim katër raste ku mund të realizonim një gol. Këta janë lojtarë të rinj, janë shkodranë dhe nuk është e thjeshtë. Presioni ka qenë jashtëzakonisht i madh dhe kjo u reflektua në fushë.

Në pjesën e dytë presioni u rrit, sikurse edhe lojtarë të ndryshëm nuk ishin të aftë të përballonin situatën dhe normalisht bëmë ndërrime dhe aspekti psikologjik i sportistëve u rëndua. Por nuk kishim asnjë shans tjetër.

Por edhe këta tifozë të jashtëzakonshëm më kanë emocionuar. Ky ishte momenti i dytë më i vështirë i jetës time, pas humbjes së nënës. Këto i kanë qëndruar pranë Vllaznisë. Kam parë në tribuna nga të gjithë, djem, fëmijë, burra, pleq, plaka, gra, të gjithë në mbështetje të Vllaznisë”.

Për akuzat që ka bërë
“Kërkoj pak qetësi dhe do të dal me deklaratë, qoftë edhe shtypi. Kjo ka qenë një Vllazni shumë e mirë, më e mirë se viteve të mëparshme. Me shumë rezultate, por edhe me hallet e veta. Prej një Vllaznie që pretendonte mbijetesën, arritëm të pretendojmë edhe vendin e katërt.

Deri dy ndeshje pasi filloi faza e katërt, ekipi tregoi nivel të lartë, luftë, rezultate dhe lojë shumë të mirë. Në Vlorë diçka ndodhi me ekipin dhe pas saj vazhduan ndodhitë. Nuk kam dëshirë të bëj prezent asnjë gjë, nuk ka ndodhur në Vlorë, por diçka ka ndodhur.

Më lejoni ta shpjegoj më vonë, kërkoj qetësi për t’i radhitur gjërat siç duhet. Ka persona që të cilët janë tallur me fanellën e Vllaznisë. Nuk bëhet fjalë për 1-2 individët e ndeshjes me Korçën. Nuk kam qenë i kënaqur, ka qenë edhe ndonjë individ tjetër. E kanë menduar të siguruar mbijetesën që në fazë të tretë, kanë thënë Vllaznia nuk rrezikon asgjë, hajde të luajmë”

Për atë që i mungon Vllaznisë
“Është folur e stërfolur, por fjalët i ka marrë era. Të gjithë bimë dakord që Vllaznia duhet t’i dorëzohet dikujt. Jam i vetëdijshëm që kryebashkiakja me drejtuesit duan t’ia japin dikujt. Por dihet që tani është biznes, se të gjithë shohin xhepin. Në këto kushte nuk i lëshohet në dorë njerëzve që ndoshta mund të përkeqësojnë situatën, kërkohen persona seriozë, por është emergjente për ta marrë dikush ekipin”.

Për aludimet rreth e Vllaznisë
“Kjo është Vllaznia pa aleanca, pa aleatë. E kemi mbajtur ekipin jashtë çdo lajmi, i mblodhëm telefonat. Miqtë më kanë telefonuar edhe është përfolur për 200 mijë euro premio. Kushdo që ka përmendur emrin e Vllaznisë për pazare duhet tu them edhe një herë t’u vijë turp, se Vllaznia nuk kishte as 1 mijë lekë të vjetra për të dhënë. Po të ishte kështu do t’i jepte me kohë, nuk do të priste deri në ditën e fundit.

Kush ka qenë më i fortë ka ardhur e na ka mundur edhe në “Loro Boriçi”, i kemi shtrënguar dorën dhe i kemi dhënë kafe. Këtë nuk e kemi gjetur në vende të tjera. Ky është futboll i egër, nuk sillesh brenda xhunglës si kaproll, se bëhesh mish për luanët dhe krokodilët. Vllaznia ishte si kaproll”./panoramasport/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: