Pas kthimit sfilitës në Shqipëri për shkak të incidentit në shtetin maqedonas, trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, ka dalë para mediave për një prognozë të takimit të parë të luajtur në Kroaci kundër Dinamos së Zagrebit.

Tekniku kryeqytetas më së shumti e vuri theksin tek ndeshja e kthimit me 24 gushtë në “Elbasan Arena” ku sipas tij çelsi për kualifikimin në fazën e grupeve është nisja e ndeshjes me rezultatin 0-0, pavarësisht se goli në “Maksimir” ka një vlerë të dyfishtë.

Daja, para ndeshjes e kishit menduar që do të ktheheshit me rezultatin 1-1?

Patjetër që edhe para ndeshjes e kemi çuar nëpër mend, por natyrisht e dinim ndërkohë se do të ishte shumë e vështirë, për vetë faktin që përballë kemi një ekip, i cili në shtatë edicionet e fundit ka qenë rregullisht në grupet e Champions Ligës apo Europa Ligës… Kjo tregon qartë cilësinë e kundërshtarit. Me atë që ekipi shprehu, sidomos në pjesën e parë, na erdhi keq për golin e pësuar në fund. Megjithatë, mbetet një rezultat pozitiv edhe ky barazim 1-1 në fushën e vështirë të Dinamos.

Çfarë mund të bënit më shumë në minutën e fundit?

Unë do të thoja që filloi më parë se minuta e fundit. Ne duhet të administronim më shumë topin siç bëmë pjesën e parë, duke mos i lënë kundërshtarit aq shumë iniciativë, pasi siç dihet, ai që ka administrimin e topit, drejton edhe lojën. Mendoj se duhet të ishim më efiçentë në ato minuta shtesë, sidomos në mbajtjen e topit në atë korne që fituam në minutën e 93-të.

Duhet të vononim lojën disi më shumë. Megjithatë lodhja dhe presioni i kundërshtarit, por edhe ndihma e arbitrit sollën golin e barazimit. Ky ishte një sinjal që ne e dimë, por na shërben më shumë që të kthjellohemi se loja mbaron me rënien e bilbilit.

Të gjithë e mendonin se Skënderbeu do të ishte lehtësisht i kalueshëm për Dinamon. Po tani?

Ne duhet të jemi me këmbë në tokë pasi kemi marrë një rezultat pozitiv, por vetëm kaq. Janë dy tablo loje: një që flet për dominim tonin në pjesën e parë dhe një e dytë që i takon kundërshtarit. Kemi bërë shumë mirë në ndeshjen e parë edhe për rezultatin dhe duhet të futemi në “Elbasan Arena” me mendjen se rezultati nuk është 1-1, por 0-0 me qëllim që të jemi të përqendruar deri në fund fare, për të qenë ne ata që do të vazhdojnë më tej.
mici-470x329
Ju mendoni se e keni njohur si duhet Dinamon e Zagrebit?

Pas ndeshjes mund të flasim edhe më të qetë, por çdo staf bën punën e vet duke studiuar elementët e mirë dhe jo të mirë. Efiçenca jonë ishte më e mirë që në fillim të takimit. Lojtarët tanë, me eksperiencën që kanë fituar ndër vite, nuk e ndjenë peshën e presionit të një ekipi të madh si Dinamo.

Por në këtë fazë me sistem eliminimi nuk ka rëndësi se çfarë ke bërë në një takim, por në të dy takimet. I kemi shanset, kemi bërë gol në fushën e tyre dhe kemi luajtur si të barabartë me ta, por gjithçka do të vendoset në Elbasan. Do të kemi një plus më shumë pasi kemi tifozët tanë të zjarrtë në mbështetje. Nuk e kam fjalën vetëm për korçarët, por nga gjithë Shqipëria, për të cilët besoj se do të jenë të shumtë të në “Elbasan Arena”.

Ky do të jetë një motiv më tepër që të gjithë të japin jo vetëm maksimumin, pasi kjo është e qartë tashmë, por të japim diçka më tepër nga mundësitë tona. E theksoj se mbështetja e tifozëve do të sjellë përqendrim dhe entuziazëm, ndaj shpresoj shumë që kjo të reflektohet edhe në lojë.

Të enjten pas ndeshjes Skënderbeu shkon më tej?

Nëse do të bëjmë atë që bëmë në pjesën e parë, kemi shanset tona pasi na favorizon edhe rezultati. Por nëse luajmë si në pjesën e dytë do t’i vështirësojmë shumë punën vetes, pasi Dinamo është një ekip i madh. Mendoj që të jemi si në pjesën e parë dhe fati të jetë në krahun tonë. Megjithatë, të gjithë duhet ta dinë se është një ndeshje e vështirë përballë një ekipi të madh.
soue-470x307

Ekipi është i lodhur për momentin?

Pjesa e lodhjes ka disa këndvështrime. Kur prishet bilanci taktik, lodhja është më e madhe. Kjo ka të bëjë me humbjen e topit, pasi për çdo pasim të gabuar ekipi, i cili ka fituar thellësi dhe gjerësi në fushë, ka bërë 25-30 metra. Fakti që e humb topin të bën të kthehesh shpejt në zonat e tyre çdo lojtar. Pra me një llogari të thjeshtë i thonë 60 metra për një top të humbur për një lojtar. Nëse në këto raste taktikisht ka humbje administrimi, edhe lodhja është më e madhe. Më shumë sesa rënie të kondicionit patëm mungesë në administrim të topit.

Diçka për incidentin në kthim?

Të them të drejtën jemi ndjerë shumë keq dje. Unë do ta prek pasi e përjetuam të gjithë bashkë, por mendoj që futbolli duhet të jetë larg këtyre politikave. Nuk e di se çfarë urdhri kishin marrë dhe kush e kishte dhënë atë urdhër që të bëhet shoqërimi i ekipit deri në kufi pa asnjë ndalesë.

Gati-gati arritëm deri në atë pikë sa të merrnim iniciativën të ndalonim autobusin, qoftë edhe forcërisht, pasi kishim nevojë që të pinim ujë, por ishte e nevojshme të ndalohej qoftë edhe për nevoja personale. Nuk e kuptuam se pse ndodhi, por kjo duhet që ambasada jonë të interesohet në lidhje me këtë incident. Nuk ishte aspak i këndshëm një trajtim i tillë për një ekip që merr pjesë në Europa Ligë.

Do të ndikojë kjo tek ekipi?

Nuk besoj. E them këtë për vetë faktin se nuk ka të bëjë me kundërshtarët tanë. Ishte në Maqedoni kjo që ndodhi. Por duhet ta mbyllim këtu dhe të mendojmë për futbollin që të jetë larg politikës, me qëllim që të jetë më i bukur. Futbolli ka mision të afrojë njerëzit, qoftë fqinjët apo të tjerët në rajon. Futbolli mund të shfrytëzohet edhe që popujt mes tyre të jenë më afër njëri-tjetrit dhe jo t’i përçajë ata.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb