Skënderbeu ka njohur dje në Nion të Zvicrës kundërshtarët e vet për dy turet e para eliminatore të Europa Ligës. Në bazë të shortit që kanë përcaktuar goglat, korçarët do të përballen në turin e parë me një ekip gjysmë amator nga Andorra.

Sant Hulia është rivali i Skënderbeut në turin e parë, për të thënë një short me fat ky për bardhekuqtë, ku favorizimin më të madh ia ka dhënë koeficienti i lartë që ka pasur duke u klasifikuar në vazon e favoritëve në këtë tur. Takimi i parë do të luhet në Korçë në 29 qershor, ndërsa i kthimit në 6 korrik në Andorrë ku do të përcaktohet zyrtarisht edhe i kualifikuari për këtë tur.

TURI I DYTË
Edhe në turin e dytë shorti për Skënderbeun mund të themi se ka qenë i pranueshëm. Në turin e dytë korçarët do të ndeshen me fituesin e çiftit Kairat Almati-Atlantas. Korçarët kështu do të udhëtojnë sërish në distanca të largëta ndoshta në Kazakistan ose në Lituani. Nëse për Atlantasin nuk ka shumë informacion, Kairati, klub nga Kazakistani, vitin e shkuar eliminoi pa probleme Teutën dhe u ndal në turin e dytë nga Makabi i Tel Avivit. Yjet e skuadrës janë mesfushori Iliçeviç dhe sulmuesit Arshavin e Gohou.

DEKLARATA
Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, e ka quajtur atë të kënaqshëm shortin, por ka kërkuar kujdes të madh për të mos e nënvlerësuar kundërshtarin.

“Mund të them se jam i kënaqur nga shorti që na ka rënë për Europa Ligën, pasi ka qenë i mirë. Favorizim të madh na ka dhënë koeficienti që kishim në këtë short duke u renditur në vazon e favoritëve për dy turet e para. Kjo falë punës së bërë nga klubi dhe ekipi në vitet e fundit me përfaqësimet dinjitoze në Europë.

Kundërshtarët nuk i njohim shumë, por kemi kohë t’i studiojmë. Fillimisht, do të duhet të mendojmë për Sant Julian që duket një ekip i kalueshëm për ne. Pavarësisht inferioritetit të këtij ekipi në emër dhe në koeficient, duke marrë informacionet e duhura, do ta përgatisim ndeshjen në mënyrën më të mirë duke mos e nënvlerësuar kundërshtarin.

Më pas në turin e dytë mund të them se sërish janë dy ekipe për të cilat nuk kemi shumë informacion, por do të mundohemi të marrim të dhënat e mjaftueshme për të krijuar një ide të qartë për sa i përket mënyrës së lojës dhe aftësive të dy ekipeve. Megjithatë, më duket një short i kënaqshëm”, theksoi fillimisht Ilir Daja.

Sipas këtij të fundit, largësia duket se është problemi më i vogël që nuk do të ndikojë shumë në ecurinë e takimeve. “Është e vërtetë që në të dy turet do të kemi rrugë të gjatë për të bërë, por një gjë e tillë dukej e pashmangshme për shkak të shpërndarjes gjeografike të ekipeve pjesëmarrëse.

Problemi për këtë pjesë qëndron te përshtatja e ekipit me ndryshimin e kushteve apo edhe udhëtimi i gjatë. Por gjithsesi, siç do t’i kemi ne problemet për këtë pjesë, do t’i ketë edhe kundërshtari në ndeshjen tjetër. Gjithsesi ne duhet të jemi të përqendruar në objektivin primar që ka klubi, për të kaluar sa më shumë ture që të jetë e mundur në Europa Ligë”, ka përfunduar Daja.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: