Trajneri Ilir Daja pohoi se me paraqitjen e djeshme Skënderbeu i bëri një mbyllje pozitive sezonit, ndonëse nuk e lanë që të garojë deri në fund. Sipas Dajës, titulli u vendos në ndeshjen në Kukës.

“Mbyllëm një sezon mjaft të mirë dhe sot (dje) mendoj se bëmë një paraqitje të mirë. Ishte një kampionat që e humbëm titullin në ndeshjen në Kukës, ndeshje të cilën e panë të gjithë se si u zhvillua. Nuk na lanë të garojmë deri në fund dhe mendoj që kjo ishte ajo që e pengoi Skënderbeun të bënte mirë dhe të fitonte titullin kampion.

Në një kampionat ku që pas ardhjes sime këtu kemi marrë vetëm një humbje me Partizanin, me një lojë shumë të mirë. Këta djem meritojnë vlerësime. Ndaj Partizanit kemi bërë një ndeshje të mirë. Pavarësisht se ishim me shumë mungesa, i kemi bërë mbylljen më të mirë sezonit”, u shpreh fillimisht trajneri Daja për “Panorama Sport”.

TIRANA
Ilir Daja e nisi sezonin si trajner i Tiranës, të cilin e la në zonën e pretendimeve, por dje ata zbritën në Kategorinë e Parë. Për dramën që po kalojnë bardheblutë, Ilir Daja u shpreh:

“Normalisht që nuk ndihem mirë kur marr vesh se ka rënë Tirana nga kategoria, pasi kam qenë trajner i tyre. Është ekipi më i titulluar në vend dhe normalisht të zbresë Tirana nga kategoria është një humbje për futbollin shqiptar. Le t’i lëmë ata të qetë në vuajtjen e tyre, pasi edhe tifozët nuk janë mësuar me një zhgënjim të tillë. Për Kupën nuk dua të flas sot, pasi nuk është momenti i duhur kur Tirana ra një kategori më poshtë. Nga nesër (sot) do të karikoj ekipin dhe do të mendoj për Kupën”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: