Dasmat kushtojnë, por kur bëhet fjalë për një dasmë mbretërore shpenzimet arrijnë në nivele të tjera. Ekspertët britanikë kanë bërë një llogaritje të shpenzimeve të dasmës se Princ Harry dhe Meghan Markel dhe vlera e saj është plot 32 milionë paund.

Kompania e planifikimit të dasmës “Bridebook” ka llogaritur koston duke filluar me lulet, ushqimin, argëtimin, veshjet, make-up, shpenzimet e sigurisë, muajin e mjaltit etj.

Dasma, e cila do mbahet më 19 maj në kështjellën “Windsor” pritet të jetë në listën e 10 dasmave më të shtrenjta.

Fatura e dasmës së Harry pritet të jetë më e madhe se ajo e të vëllait, princit William. Dasma e këtij të fundit kushtoi 20 milionë paund.

Disa nga shpenzimet e dasmës mbretërore:

Kateringu, 286 mijë paund

Pritja zyrtare e drekës për mysafirët e shtetit dhe darka për familjen dhe miqtë pritet të kushtojë 286 mijë paund.

Pijet, 193 mijë paund

Vetëm pijet për të ftuarit llogaritet që të kushtojnë 193 mijë paund. Thuhet se disa nga pijet do merren në qilarët e pallatit mbretëror.

Fustani, 300 mijë paund

Të gjithë sytë do jenë mbi të dhe sigurisht që fustani kryesor do jetë madhështor. Nuk dihet saktësisht vlera e tij, por fustani kryesor do të ketë edhe koston më të lartë. Afërsisht është llogaritur që fustanet e saj të kushtojnë 300 mijë paund.

Muzika 300 mijë paund

Thuhet se në dasmën mbretërore do të performojnë, Spice Girls, Elton John, Chris Martin si dhe shoqja e Meghan, Rihanna.

Shpenzimet do të shkojnë edhe për muzikën e kishës.

Siguria është një element mjaft i rëndësishëm dhe shpenzimet më të mëdha do të jenë për këtë çështje. Fakti që dasma nuk është në qendër të Londrës kërkon më tepër angazhim nga forcat e sigurisë, pasi edhe pjesëmarrja e publikut do të jetë e madhe.

Shpenzime të tjera janë për ftesat, dekorimin, trumbetat, fotografitë, unazat e martesës, veshjet e dhëndrit, argëtimi, muaji i mjaltit, transporti, tarifa e kishës, lulet. Të gjitha në total, sipas ekspertëve kapin vlerën e 32 milionë paund.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: