Princ Leka dhe Elia Zaharia do të kurorëzojnë sot dashurinë e tyre me një dasmë madhështore, e cila do të organizohet në Pallatin Mbretëror, në Tiranë. Prej disa muajsh ishin bërë të ditur detajet e kësaj dasme, që do të sjellë në Tiranë aristokracinë e mbarë botës.

Celebrimi do të zhvillohet në orën 11.00 në mjediset e Pallatit të Brigadave, në praninë e rreth 800 të ftuarve, “Lartësive” të tyre, përfaqësues të familjeve të njohura rojale të Evropës, Iranit dhe Marokut, krerëve të shtetit shqiptar dhe krerëve të klerit në Shqipëri, të cilët do të përshëndesin këtë martesë, pas celebrimit civil.

Më pas, gjithë të ftuarit do të zhvendosen për në mjediset e Rezidencës pranë Galerisë së Arteve, ku do të mbahet një koktej që do të zgjasë rreth dy orë. Që në mars, ku dhe u bë publike data e dasmës, të gjithë kemi qenë shumë kuriozë rreth detajeve të kësaj martese madhështore.

Vetëm pak orë para dasme, stilistja Edlira Sula ka rrëfyer disa detaje për “Bluetooth”. “Unë jam kujdesur për veshjet e shoqërueseve të Elias, do të jenë gjashtë të tilla, unë kam punuar veshjet e tyre, dhe kostumet popullore.

Vetë Elia nuk do të vesh në dasmë një veshje tradicionale. Ajo që në fillim të organizimit ka pasur idenë e një dasme që të transmetonte shumë nga Shqipëria, që mediat e huaja, por edhe të ftuarit të njohin më mirë kulturën tonë, traditën tonë. Ndaj dhe shoqërueset do të veshin kostume popullore, por edhe produktet që do të serviren do të jenë tërësisht shqiptare.

Sipas Elias kjo dasmë duhet të kishte në thelb traditën, dhe mendoj se kjo është mënyra e duhur për ta përcjellë këtë”, shprehet Edlira. Por edhe pse kjo është një dasmë mbretërore, që ka fituar vëmendjen edhe të medivae ndërkombëtare, stilisja e Elia Zaharias, tregon se nuk është një dasëm e shtrenjtë. “Elia është kujdesur vetë për të gjitha detajet. Nuk ka dashur të shpenzojë shumë, pasi ka menduar se edhe me pak para mund të bësh një dasmë të paharrueshme.

Mesa di unë ajo ka zgjedhur dy fustane nusërie. I pari padyshim që do të jetë diçka mbretërore dhe mahnitës, si dhe një fustan i dytë, që i përshtatet më së miri linjave të Elias. I dyti do të jetë një fustan shik, por disi më i thjeshtë, më qytetar. Mund të them se nuk është një dasmë luksoze, pasi nuk ka shpenzime të ekzagjeruara. Thashë Elia është marrë me të gjitha detajet e dasmës vetë, duke dashur të tregojë sa më shumë kujdes në ideimin dhe shpenzimet e ceremonisë”, përfundon Edlira Sula për Bluetooth.

(m.k/Bluetooth/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb