Menu Krye Të Fundit | Shqipëria |

De Biazi: Me Dukën nuk je më mik kur flet për anën ekonomike, të jep minimumin

de-biazi-shako1-470x264

Ish-trajneri i kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, ka dhënë një intervistë për “Supersport” pas dorëheqjes nga drejtimi i kuqezinjve, duke treguar disa prapaskena të panjohura deri më sot për publikun.

Ndjesia pas largimit nga posti i trajnerit të kombëtares
“Kanë kaluar 5-6 ditë dhe më mungon të jem trajneri i kombëtares. Do të më mbetet një lidhje e ngushtë me popullin dhe Federatën sepse 5 vite e gjysmë nuk harrohen shpejt.”

Rinovimi i kontratës pas kualifikueseve të Botërorit 2014
“Momenti i rinovimit të kontratës, me kujtohet që presidenti më çoi letër se ndihej i lumtur për punën e bërë. Pas Qipros, një ndeshje e shëmtuar, por nuk ka rëndësi, është mes eksperiencave të përjetuara. Të ndihmojnë për t’u rritur. Mendoj se presidenti pa punën që po bënim, mund të ishte interesante dhe zgjodhi të vazhdonte edhe dy vite me ne. Njerëzit ishin afër, tifozët na kanë vlerësuar.

Isha I bindur për të qëndruar. Ka një prapaskenë, sepse ishte një Federatë tjetër që pyeti nëse isha i lirë dhe Duka i tha: ‘Jo, ka firmosur me ne.’ Ishte Polonia e Levandovskit.”

Negociatat e rinovimit të dytë
“Në pikëpamjen ekonomike nuk flitet me Dukën. Ai paguan minimumin e mundshëm, mundohet të të japë minimumin. Unë jam pa menaxher dhe negocioj vetë, por kur je aty që flet për lekë me Dukën, je kundërshtar, nuk je më mik.

Marrëveshja ishte shumë e gjatë, e lodhshme dhe në fund ia dolëm ta rinovonim edhe pasi kishin ndryshuar kushtet. Shkuam në Europian, bëmë një përmirësim nga ana ekonomike, sepse Shqipëria pati fitime ekonomike të rëndësishme.”

Prapaskena me Xhakën dhe Gashin gjatë Europianit
“Unë jam një njëri që përpiqem t’i mbroj lojtarët e mi, i menaxhoj siç besoj se është e drejtë. Nëse me duhet të ndërhyj dhe t’i masakroj, e bëj. Nëse duhet t’i mbroj publikisht, e bëj duke marrë unë fajin. Erdhën një apo dy ditë para ndeshjes me Francën kur panë se nuk kishin fanellat e titullarëve. Erdhën të dy, menduan se ishin më të fortë të dy, do të më trembnin ndoshta, më thanë: ‘Kemi parë që s’ke ndër mend të na bësh të luajmë, ne duam të shkojmë në shtëpi.’

Këtu iu thashë: ‘Prit prit, prit pak, ndalu. Nuk është se shkoni ju në shtëpi, ju dërgoj unë në shtëpi.’ Pastaj iu thashë edhe shumë gjëra të tjera dhe që nga ai moment nuk ikën në shtëpi. Ulën armët dhe ikën të flinin.”

Largimi nga Shqipëria
“Le të themi se pas ndeshjes me Luksemburgun mendova se historia ime me Shqipërinë duhej të përfundonte të dielën pasardhëse. Unë e dija por nuk mund ta thoja më parë pasi dekurajoja lojtarët dhe do të merrej vesh. Në konferencën para Izraelit pyetjes nëse mendoja rinovimin iu përgjigja me një ‘jo’ të thatë, por në mendjen time kisha vendosur: ‘Mbaroje këtë ndeshje, sido që të shkojë pas saj, nuk do jesh më trajneri i Shqipërisë!’”

Mundësia për të marrë drejtimin e Kosovës
“Besoj se jam trajner i lirë, deri tani s’më ka telefonuar njeri dhe nuk mund të trokas unë dhe t’u them: ‘Po vij.’

Kosova është një federatë e re, i njoh të gjithë, presidentin, zv. presidentin, Bunjakin që po bën punën që po bën, por kanë edhe një skuadër të re me talente nëpër Europë dhe që mund të bëjnë mirë”. /panoramasport/

(BalkanWeb)



KOMENTO

*E-mail nuk do te publikohet.
Komenti juaj do publikohet brënda 3 orëve , nëse përdorni fjalor ofendues , komenti nuk do të publikohet nga moderatori .


Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.