Ministria e Arsimit dhe Sportit i ka akorduar sot një çmim mirënjohje ish-trajnerit të Kombëtares Xhani De Biazit dhe një rast të tillë mediat nuk mund t’a humbisnin për t’i shkëputur italianit një intervistë të shkurtër.

De Biazi u shpreh se sot Shqipëria është një kombëtare e kërkuar nga trajnerë të njohur të cilët e shohin si një mundësi për t’u reklamuar akoma më shumë.

“Presidenti Duka do të bëjë një kërkim të kujdesshëm dhe nuk do të lërë pas dore asnjë detaj. E rëndësishme është që trajneri i ri të jetë një zgjedhje e mirë që Shqipëria të rritet dhe të përmirësohet. E kam ende të nxehtë telefonin, sepse Shqipëria është bërë një kombëtare interesante. Sot kuqezinjtë janë një skuadër që u japin mundësinë trajnerëve të reklamohen, sepse Shqipëria ka mundësi të kualifikohet në Europianin e ardhshëm dhe janë të shumtë ata që interesohen”, u shpreh De Biazi.

I pyetur për emrat e mundshëm që mund ta zëvendësojnë, ai zgjodhi të përgjigjej me batutë duke përmendur tre trajnerë italianë të niveleve më të lartë: “Lipi, Kapelo ose Trapatoni.”

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb