Ish-trajneri i kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, në një intervistë të dhënë për “Supersport” pas dorëheqjes nga drejtimi i kuqezinjve, ka treguar një prapaskenë të ndodhur gjatë Kampionatit Europian “Francë 2016”. Ai rrëfen se Taulant Xhaka dhe Shkëlzen Gashi kanë dashur të largohen nga grumbullimi kur kuptuan se nuk do të ishin titullarë në ndeshjen ndaj Francës, por më pas u zmbrapsën kur iu tha se do t’i dërgonte në shtëpi.

Largimi nga Shqipëria
“Le të themi se pas ndeshjes me Luksemburgun mendova se historia ime me Shqipërinë duhej të përfundonte të dielën pasardhëse. Unë e dija por nuk mund ta thoja më parë pasi dekurajoja lojtarët dhe do të merrej vesh. Në konferencën para Izraelit pyetjes nëse mendoja rinovimin iu përgjigja me një ‘jo’ të thatë, por në mendjen time kisha vendosur: ‘Mbaroje këtë ndeshje, sido që të shkojë pas saj, nuk do jesh më trajneri i Shqipërisë!’”

Prapaskena me Xhakën dhe Gashin gjatë Europianit
“Unë jam një njëri që përpiqem t’i mbroj lojtarët e mi, i menaxhoj siç besoj se është e drejtë. Nëse me duhet të ndërhyj dhe t’i masakroj, e bëj. Nëse duhet t’i mbroj publikisht, e bëj duke marrë unë fajin. Erdhën një apo dy ditë para ndeshjes me Francën kur panë se nuk kishin fanellat e titullarëve. Erdhën të dy, menduan se ishin më të fortë të dy, do të më trembnin ndoshta, më thanë: ‘Kemi parë që s’ke ndër mend të na bësh të luajmë, ne duam të shkojmë në shtëpi.’

Këtu iu thashë: ‘Prit prit, prit pak, ndalu. Nuk është se shkoni ju në shtëpi, ju dërgoj unë në shtëpi.’ Pastaj iu thashë edhe shumë gjëra të tjera dhe që nga ai moment nuk ikën në shtëpi. Ulën armët dhe ikën të flinin.”

Mundësia për të marrë drejtimin e Kosovës
“Besoj se jam trajner i lirë, deri tani s’më ka telefonuar njeri dhe nuk mund të trokas unë dhe t’u them: ‘Po vij.’. Kosova është një federatë e re, i njoh të gjithë, presidentin, zv. presidentin, Bunjakin që po bën punën që po bën, por kanë edhe një skuadër të re me talente nëpër Europë dhe që mund të bëjnë mirë.”/panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: