TIRANE– Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka reaguar në lidhje me ndërhyrjen që u bë sot në një lokal në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlore, ku u shemb ura që përdorej si mbikalim.

Me anë të një deklarate për mediat, IKMT i është kundërpërgjigjur dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, ndërsa thekson se punimet kryheshin me ‘gërshëre’ dhe jo me ‘çekiç pneumatik’.

DEKLARATA E IKMT-SË
Nisur nga disa reagime në “mbrojtje të jetës” së qytetarëve, që vijnë pas nisjes së prishjes së platformës pa leje ndërtuar nga hoteli New York në Vlorë sqarojmë: IKMT prej mbi tri vitesh kryen operacione shumë herë më të vështira se ky i sotmi, dhe përveç inspektorëve, janë të pranishëm edhe teknike, specialistë si dhe forcat e rendit e të qarkullimit si në rastin e sotëm. Nëse nuk do kishte nxitim në “zbulime pakujdesish” do mësohej se operacioni po kryhej (siç duket nga videot dhe fotot) me “gërshërë” dhe jo me “çekiç pneumatik”.

Në të gjitha operacionet e kryera nga IKMT në të gjithë Shqipërinë, masat mbrojtëse kanë qenë maksimale dhe ashtu si dhe në operacionin e sotëm, nuk ka pasur asnjë dëm. Pikërisht për të mos penguar qarkullimin në atë zonë në Vlorë, operacioni, ashtu si dhe kemi lajmëruar me anë të mediave, do të vijojë në orët e vona të natës. I falënderojmë të gjithë për kujdesin, sidomos organet dixhitale, dhe i sigurojmë se jeta dhe pasuria e qytetarëve janë primare për institucionin tonë, ashtu siç është edhe zbatimi i ligjit.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb