TIRANE- Lidhur me çështjen e shumëpërfolur të CEZ, kryedemokrati Lulzim Basha bëri një deklaratë të fortë në studion e emisionit “Studio e Hapur” në News 24. Ai tha se paratë e dëmit 600 milionë euro, që PD pretendon se i është shkaktuar shtetit, kanë shkuar në konto bankare ose në kompani off shore.

“Ato 600 mln të CEZ do hetohen deri në fund. Nuk ka vendim që e mbyll hetimin për CEZ dhe përgjegjësit do dalin para ligjit. Ne do bëjmë gjithçka që me paratë që janë në konto bankare dhe në off shore, t’i vijmë në ndihmë familjeve me ndihmë ekonomike”,- sqaroi Basha.

I pyetur nëse e dinte ku kishin përfunduar këto para, kryedemokrati u përgjigj: “Unë nuk jam detektiv. Por kam mjaftueshëm informacion për t’ju deklaruar me përgjegjësi se paratë e aferës CEZ kanë përfunduar në kompani para off shore dhe ne do t’ua kthejmë shqiptarëve”,- tha ai.

“Afera e CEZ” ka qenë më shumë një çështje politike se financiare. Ajo nisi me ardhjen e socialistëve në pushtet të cilët zgjidhën mosmarrëveshjet mes kompanisë çeke CEZ, e cila kishte privatizuar sistemin e shpërndarjes së energjisë, OSHE, dhe qeverisë shqiptare, të lindura në kohën kur në pushtet ishte PD. Kryeministri Rama tha se se kjo çështje u zgjidh në mënyrën më të mirë të mundshme, por opozita e djathtë pretendon se ekonomisë së vendit i është kushtuar një dëm mbi 600 milionë euro.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: