Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të kallëzojë penalisht 70 anëtarë dhe numërues të parë të grupeve të numërimit në Tiranë dhe Berat për manipulim të zgjedhjeve të 25 qershorit.

Sipas KQZ, numëruesit kanë konsumuar elemente të veprës penale të falsifikimit të materialit zgjedhor dhe rezultatit të zgjedhjeve, pavarësisht se votat në fjalë nuk ndryshuan mandate në tabelën përfundimtare.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, fajësoi partitë politike si përgjegjëse për nxitjen e numëruesve për tjetërsimin e votave.

“Këta nuk do të ishin në një pozitë të tillë, nëse nuk do të inkurajoheshin nga subjektet zgjedhore. Kjo është një bindje e imja, por i ngelet Prokurorisë për të vlerësuar. Numëruesit dhe komisionerët duhet të kuptojnë më në fund se vjen një moment që do të përballesh vetë personalisht me ligjin, edhe pse intimidohesh dhe tërhiqesh nga të tjerë faktorë”, deklaroi Zguri.

Kallëzimin penal për 70 numëruesit KQZ e bëri pasi shqyrtoi dy ankimimet e paraqitura nga partitë politike, PDIU dhe PS, të cilat kundërshtuan rezultatin në disa zona zgjedhore në qarkun e Tiranës, duke kërkuar rinumërimin e rivlerësimin e votave me pretendimin se numri i votave reale nuk përputhej me rezultatin e hartuar nga Grupet e Numërimit në tabelat e qendrave të votimit.

Nënkryetari i KQZ, Denar Biba, theksoi se duhet të merret Prokuroria me çështjen e numëruesve dhe kërkoi që në zgjedhjet e ardhshme ky fenomen të shkojë drejt zhdukjes. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bën shumë mirë që e ndërmerr këtë hap. Shpresojmë që në zgjedhjet e ardhshme fenomeni të jetë sa më minimal dhe ndoshta të shkohet drejt zhdukjes”, deklaroi Biba.

REZULTATI
Deformimi i rezultatit të zgjedhjeve doli nga rinumërimi i 64 qendrave të votimit në Tiranë, pas kërkesës së Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet dhe kërkesës së Partisë Socialiste.

Por nga hapja e 64 kutive në KQZ, rezultoi se në 24 qendra votimi kanë vjedhur votat nga grupet e numërimit, të cilët kanë favorizuar partitë e mëdha, duke i shtuar vota që nuk u gjetën në kuti.

Zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj, në një deklaratë për mediat sqaroi se për 24 qendra votimi në qarkun Tiranë, rezultati i dalë nga rinumërimi ishte i ndryshëm me rezultatin e nxjerrë nga grupet e numërimit në VNV.

“Anëtarët e grupeve të numërimit që kanë numëruar votat për këto qendra, kanë shënuar në tabelën e rezultatit numër më të vogël votash për disa subjekte dhe numër më të madh votash për disa subjekte të tjera, krahasuar me numrin real të votave që u gjendën në kutinë e votimit, duke favorizuar disa subjekte zgjedhore”, sqaroi Hoxhaj.

Sipas rezultatit përfundimtar të KQZ-së, PS në këto zgjedhje është favorizuar nga numëruesit, duke i shtuar rezultatit të saj në 64 kuti 70 vota më shumë, por i janë vjedhur 32 vota. PD është ndihmuar nga numëruesit duke i shtuar 98 vota në 64 kuti, por në të njëjtën kohë grupet e tjera të numërimit i kanë vjedhur 30 vota.

Edhe LSI listohet si parti që ka vjedhur vota, ku nga 64 kuti rezulton të ketë përfituar padrejtësisht 82 vota. Ndërkohë që i janë hequr vetëm 6 vota nga rivalët. Edhe subjektet e tjera politike, përfshirë edhe PDIU-në, rezultuan të kenë vjedhur dhe t’i jenë vjedhur vota. KQZ apeloi të gjithë personat apo subjektet politike që kanë dyshime të arsyeshme apo prova për shkelje të ligjit zgjedhor, t’i dorëzojnë ato në prokurori./Panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: