TIRANE– Kreu i LSI, Petrit Vasili, është shprehur se është i gatshëm që të shkelet kodi zgjedhor dhe nëse dy partitë e mëdha PS dhe PD kanë dëshirë të bëjnë koalicion le ta bëjnë që tani.

Në “Opinion” mbrëmjen e sotme, Vasili tha se për LSI nuk përbën merak krijimi i koalicionit PS-PD. Ai tha se marrëveshja Rama-Basha nuk e ka zhgënjyer aspak LSI-në, por përkundrazi sipas tij është realizuar ajo që LSI priste prej kohësh.

“Meqë e kanë me kaq merak le ta bëjnë që tani koalicionin, ne nuk kemi asnjë merak, LSI nuk ka asnjë merak, LSI do të dal forcë e parë. Ta bëjnë hapur koalicionin, se po e bëjnë si një dashuri që bëhet prapa mureve”, tha Vasili.

Kryetari i LSI-së është shprehur se nuk e ka pyetur kryeministrin Rama për vendimet e marra pas marrëveshjes politike me Bashën, me arsyen se mjaftoi zgjidhja e krizës mes palëve.

Sakaq, ai ka hedhur poshtë të gjitha hamendësimet se votimi i Ilir Metës si President i Republikës, ka qenë pjesë e një marrëveshje politike me Edi Ramën që në vitin 2013-të.

Vasili shtoi se LSI ka qenë promotorja e një aksioni politik për të ndihmuar dy forcat politike në zgjidhjen e krizës.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: