NGA Dashnor KALOÇI

Vladimir Xhelili: Dezertimi i Kadaresë s’ishte i rastit, ai eklipsoi mbledhjen e Konferencës së Ministrave të Ballkanit në Tiranë.
Në fundin e vitit 1990, ashtu siç ndodhte rëndom me të gjitha institucionet dhe dikasteret e ndryshme të shtetit shqiptar, edhe ato të shërbimit diplomatik të akredituara në vende të ndryshme të botës, bënin analizat e punës së tyre njëvjeçare. Në këtë kontekst, edhe ambasada shqiptare në Paris iu nënshtrua një analize të thellë të gjithë punës së saj për vitin 1990, vit i cili për të kishte shënuar dy ngjarje të mëdha; atë të 2 korrikut (e njohur ndryshe si ngjarja e ambasadave, për shkak se edhe në ambasadën franceze në Tiranë u futën një numër i madh shtetasish), si dhe atë të 25 tetorit të atij viti, ku shkrimtari i njohur Ismail Kadare, nëpërmjet valëve të radios “Zëri i Amerikës”, njoftoi se kishte kërkuar azil politik në Francë.

Ngjarje të cilat zunë edhe vendin kryesor jo vetëm në analizën e ambasadës shqiptare në Paris, por edhe në opinion publik në Shqipëri, e në mbarë shtypin e shkruar dhe mediat vizive në mbarë Evropën e më gjerë. Kjo gjë bëhet e ditur edhe në këtë dokument arkivor (mban datën 25.12.1990) që po publikojmë në këtë kapitull të librit, në të cilin publikohet diskutimi i atasheut të shtypit pranë asaj ambasade, Vladimir Xhelili, ku ai ka përshkruar aty jo vetëm punën e tij si atashe shtypi dhe një pasqyrë mbi ato çka shkruante shtypi francez dhe ai evropian për çfarë po ndodhte në Shqipëri në atë periudhë kohe, por nga këndvështrimi i tij, ka bërë dhe një analizë si për “ngjarjen e ambasadave”, ashtu edhe për “problemin Kadare”. Ndërsa ngjarja e ambasadave nuk ishte parashikuar të ndodhte, apo më saktë “i mbeti në dorë” regjimit komunist të udhëhequr nga dyshja Nexhmije Hoxha-Ramiz Alia, “problemi Kadare” nuk ishte i panjohur.

Gjë të cilën e kemi parë edhe në kapitujt paraardhës të këtij libri, ku që nga fillimi i viteve ’80 (pas gjyqit të të ashtuquajturit “Grupi armiqësor i Mehmet Shehut), Tirana zyrtare i kishte vendosur një “embargo” shkrimtarit të njohur. Dhe kjo “embargo” kishte filluar me prishjen e njëanshme të kontratës për xhirimin e filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, ku zëvendësministri i Jashtëm, Sokrat Plaka njoftonte disa ambasada: “Mos t’u jepet vizë për Shqipëri grupit të kineastëve francezë me në krye Mishel Pikolin”, vazhdonte me një sërë refuzimesh për ftesat që i vinin Kadaresë nga jashtë (Fayard, PEN CLUB, Tv Franc 1 etj), ku vetë ministri i Jashtëm Reiz Malile apo zëvendësit etj, shkruanin: “Të mos shkojë, nuk është moment i duhur”, “Kadare t’i falënderojë për ftesën dhe t’iu thotë se është i angazhuar në një tjetër aktivitet” etj. Për të ardhur në vitin 1985, ku qeveria franceze disa herë zyrtarisht i propozoi qeverisë shqiptare, nëse ajo do ishte dakord që Franca ta dekoronte shkrimtarin Ismail Kadare me medaljen më të lartë të saj, “Legjioni i nderit”, dhe më pas ta propozonte për çmimin Nobel.

Ndërsa Tirana zyrtare, jo vetëm që nuk e pranoi këtë gjë, por “e kërcënoi” qeverinë franceze, duke i thënë: “Në qoftë se qeveria franceze do ta bëjë këtë gjë në mënyrë të njëanshme, atëherë…”. Dhe këtë qëndrim Tirana zyrtare mbajti përsëri edhe në 1989-ën dhe 1990-ën, kur qeveria franceze e përsëriti disa herë kërkesën për dekorimin e Kadaresë, ku krerë më të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme e diplomacisë shqiptare, si Reiz Malile, Sokrat Plaka, Kujtim Hysenaj etj, në shkresat përkatëse shënonin: “Prapa kërkesës për dekorimin e Kadaresë fshihen qëllime të tjera… të lihet në heshtje”, “Mos i ktheni përgjigje” etj.

Dhe të gjitha këtyre u vuri “kapak” deklarata e Ramiz Alisë në mbledhjen e Byrosë Politike të datës 24 korrik 1990 (për ngjarjen e ambasadave), ku në kulmin e tërbimit të tij, në mes të tjerash ai u shpreh: “Kadareja, ose të mbajë qëndrim për ngjarjet e ambasadave, ose të dalë hapur në anën e armikut”, duke vazhduar më tej: “Si nuk doli një intelektual të thoshte një fjalë për ftesën që i bëri Kadaresë presidenti francez, Miteran?!” Dhe të gjitha këto, nuk kishin si të mos jepnin një rezonancë të fortë dhe të mos ndikonin edhe në mbledhjen e stafit të ambasadës shqiptare në Paris në fundin e vitit 1990, aq më shumë kur Kadare tashmë ndodhej në Francë, si azilant politik.

Diskutimi i atasheut të shtypit Xhelili, në mbledhjen e ambasadës në Paris

Diskutim
Viti 1990 ka qenë mjaft i ngarkuar me vendime historike për popullin, partinë dhe vendin tonë. Materialet që kanë pasqyruar këto kanë qenë të shumta. Kam pasur për detyrë dhe jam përpjekur gjatë kësaj periudhe që fjalimet e shokut Ramiz Alia, vendimet e plenumeve të fundit të Partisë, të sesioneve të Kuvendit Popullor për demokratizimin e mëtejshëm të gjithë jetës së vendit, të shumëfishohen dhe të shpërndahen në kohë në organet e shtypit dhe mjetet e informacionit, në MPJ si dhe personalitetet e diplomatët në Francë dhe në vendet e zonës që mbulojmë si Ambasadë.

Përgjithësisht, kjo ka bërë që të njihet më mirë procesi i thellë i demokratizimit, në të cilin është angazhuar vendi ynë. Puna vazhdon.

Kam ndjekur dhe informuar rregullisht MPJ lidhur me shkrimet e shtypit francez, të cilat, për vetë zhvillimet që ka pasur, kanë qenë jashtëzakonisht të shumta dhe kanë kërkuar një angazhim dhe kohë tepër të madhe për përkthimin e tyre. Po ashtu janë sistemuar dhe janë dërguar rregullisht kuypyrat e shtypit anglez, belg dhe spanjoll etj. Puna në këtë drejtim është shtuar jashtëzakonisht, prandaj në të ardhmen mendoj të informohet në mënyrë përmbledhëse dhe selektive, duke dhënë karakteristikat kryesore.

Kam ndjekur nëpërmjet takimeve të ndryshme, që detyrat e kohës kërkojnë të shtohen, shtypit etj, politikën e qëndrimet e Francës ndaj vendit tonë, Ballkanit, ndaj zhvillimeve në Kosovë e Jugosllavi, si dhe ndaj vendeve të tjera evropiano-lindore. Për këto sipas rastit është informuar MPJ. Po ashtu kam ndjekur detyrat e ndryshme të karakterit protokollar të ambasadës për pritjet, ceremonitë e ndryshme që janë paraqitur etj, si për Francën dhe për vendet e zonës që mbulojmë.

Shkrimin e plotë e lexoni në Gsh.al:

http://www.gsh.al/2017/07/24/deklarata-e-miteran-ne-6-korrik-1990-ne-londer-nxiti-fushaten-denigruese-ndaj-shqiperise/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: