TIRANË- Ish-shefja e kabinetit të Ministrisë së Brendshme në kohën që drejtohej nga Saimir Tahiri, Silda Çepe, sot kandidate për deputete e PS-së në Tiranë ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së deputetit demokrat Arben Imami.

Duke iu referuar thënies së tij “Basha hoqi Topallin dhe vuri në listë shtëpiake që s’kanë bërë asnjë punë se kanë pjellë nga 3-4 fëmijë”, Çepe, e cila ndodhet e 22-ta në listën e PS-së jep shembullin e saj, si shtëpiake dhe si grua në karrierë.

Ajo thotë se ka lindur tre fëmijë dhe njëkohësisht ka punuar me kohë të plotë. Kandidatja për deputete nuk ia përton edhe me fjalë popullore. “Ndaj na marrsh të ligat, benimam!”, shkruan ajo.

STATUSI I SILDA ÇEPES
I nderuar benimam,
Unë jam një grua. Kam qenë shtëpiake gjithë jetën megjithëse kam punuar me kohë të plotë, sepse ti dhe benimamët e tjerë i shikoni punët e shtëpisë si punë grash. Kam lindur tre fëmijë. Nuk i kam pjellë, benimam, se lopët pjellin. Gratë sjellin në jetë fëmijë, engjëj. Fatkeqësisht disa kur rriten bëhen djaj të këqij.

Kështu pra, benimam, unë kam sjellë në jetë tre fëmijë, por kam një lajm për ty dhe benimamët e tjerë, numri i fëmijëve nuk ndikon as në profesionalizëm dhe as në shëndet mendor.
Po pse, o benimam, pse. Pse duhet ta lidhësh figurën e gruas me organet e saj riprodhuese? Se nuk është lojë e drejtë, jo për gjë, nëse ke guxim të luash.

Pra, benimam, dhe ju benimamët e tjerë, nëse një grua sjell në jetë fëmijë dhe sa fëmijë sjell në jetë, është puna e saj. A keni guxim të diskutoni profesionalizmin dhe aftësinë e një gruaje siç diskutoni ato të një burri? Se me thënë të drejtën, atë që ti dhe benimamët e tjerë e bëni nën këmishën që jua hekuros një shtëpiake, unë dhe shoqet e mia e bëjmë akoma më mirë, madje edhe duke hekurosur, edhe duke rritur 3-4 fëmijë.
Ndaj na marrsh të ligat, benimam!

Silda Anagnosti

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb