TIRANE– Nga foltorja e Kuvendit, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati i është përgjigjur deklaratave të kreut të Partisë Demokratike dhe ish- kryeministrit Sali Berisha, të cilët kanë akuzuar kryeministrin Rama dhe ambasadorët e SHBA-ve dhe BE-së, se janë të implikuar në krijimin e një reforme në drejtësi në favor të qeverisë. Bushati tha se sulmet e Partisë Demokratike ndaj ambasadorëve janë të paprecedentë dhe të turpshme.

“Për herë të parë në 27 vite kemi një fushatë të orkestruar ndaj ambasadorit të SHBA, ndaj përfaqësuesve të vendeve mike në Shqipëri. Për herë të parë një politikan shqiptar si Basha guxon, jo thjesht të krahasojë situatën me Maqedoninë, por thote se situata në Shqipëri është 10-15 herë më e keqe se ajo e Maqedonisë. Nuk e di se kujt i referohet Lulzim Basha për situatën në Maqedoni. Kë konsideron të kapur nga mafia Lulzim Basha, zëdhënësen e BE, apo eurodeputetin Hahn? Edhë ky është komunist? Po rezoluta e partive Popullore? Edhe kjo është produkt i kanabisit dhe mafies? Të gjitha këto janë broçkulla. Sulmet janë të turpshme dhe të paprecedent. Pas 27 vitesh si ministër i jashtëm marr pyetje për rryma antieuropiane në qarqet shqiptare. Është shumë e rëndësishme, prandaj përshëndes qëndrim e qartë që vjen nga BE dhe SHBA për reformën në drejtësi dhe nevojën për dialog politik. Cila është sot përgjigjja për komunitetin ndërkombëtar që kërkon që Shqipëria të shkojë në zgjedhje në respekt të Kushtetutës? Si do ti përgjigjemi ne investimit politik dhe financiar të BE dhe SHBA. Kjo sallë duhet të jetë më qartë për mesazhet ndaj ndërkombëtarëve”- tha Bushati.

(d.d/BalkaWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: