Në emisionin e sotëm të “Të PaEkspozuarit” në News24 fokusi i bisedës është roli i ndërkombëtarëve në Shqipëri. Në studio, ku të ftuar janë kreu i AK, Kreshnik Spahiu, aktivisti i organizatës politike, Arlind Qorri dhe dy analistët e përhershëm Fatos Lubonja e Andi Bushati po diskutohet tema “Një amerikan në oborrin e çadrës”.

Sipas analistit, Fatos Lubonja, ndërkombëtarët që vënë vulën me opinionet e tyre për çështjet e nxehta në Shqipëri, janë po të njëjtët që kanë dështuar vetë Europën, shkruan ‘BalkanWeb’.

I të njëjti mendim është kreu i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu i cili thotë se “Hahn nuk ha pykë fare në kërkesat popullore”.

‘BalkanWeb’ zbardh pjesë nga debati

Lubonja: Ne e dimë që ndërkombëtarët mbrojnë qeverinë, por hipertrofizim që i bëjmë atyre, dhe ajo që më shqetëson është se këta nuk kanë asnjë refleksion në 20 e ca vite, çfarë kanë bërë këta këtu me kanalizimin e të gjitha problemet. Është dështim total i tyre, se kanë legjitimuar një kastë kriminale. I kanë legjitimuar, tani i thonë uluni atje e vazhdoni fasadën demokratike e pas fasadës bëni ç’të doni. Prandaj nuk kam shumë respekt për këto që thonë ndërkombëtarët. Këtu kemi një mjeshtër si Edi Rama që manipulon ndërkombëtarët. Ne i shohim vetë gabimet tona, Rama thotë dëgjoni ndërkombëtarët. Duket sikur e thonë këta, sikur e thotë Zoti. Jo, ata kanë dështuar Europën. Partitë që përfaqësojnë dolën nga zgjedhjet në Francë. I hodhi populli. Janë përfaqësues që i ka nxjerrë jashtë populli francez.

Kreshnik Spahiu: Duket që Hahn, nuk han pykë fare në kërkesat popullore dhe jo të PD-së, se nuk është kërkesë e PD-së. Në Shqipëri janë 127 parti politike. Në zgjedhjet e 2013 morën pjesë 66 parti, kurse tani janë 15. Nuk kemi më koalicione siç parashikon Kushtetuta. Për të krijuar opinionin e një Shqipërie pluraliste, Rama prishi dhe koalicionin e vitit 2013. Sot përveç se 1.7 mln votuesve në emigracion që nuk iu garantohet vota janë përjashtuar rreth 900 mijë votues të tjerë që përfaqësohen nga 100 e ca parti politike të tjera ku futen PD, PR, LZHK etj. Hahn nuk e ka idenë fare se çfarë po ndodh me zgjedhjet, se ndërkombëtarët nuk i kërcet fare për të drejtat e njeriut, por kanë vetëm një problem: stabilitetin. Për stabilitetin i vënë flakën të gjitha parimeve njerëzore. Hahn është 100% gabim. Nuk jam pajtuar me një gjë me PD që në fillim. Se dhe PD i mban ison ndërkombëtarëve, duke i hiperbolizuar ata, që duket sikur i vënë vulën procesit të zgjedhjeve në Shqipëri. OSBE/ODIHR duhej të përcillej me kohë nga Shqipëria.

Arlind Qorri: Ajo që po ndodh është se po cenohet stabiliteti kuazi-demokratik. Ndoshta dhe për faktin se PD është ndjerë ngushtë para se të hynte në zgjedhje. Në këtë kuptim, edhe deklarata e Hahn janë brenda këtij konteksti. Atyre i intereson stabiliteti, ose oligarkia konkurruese. Kemi dy palë që kanë partnerët e tyre në botën e biznesit dhe krimit, dhe me këto shkojnë në zgjedhje. Ndoshta për shkak të dobësisë, PD ka parë para disa muajve, se e ka pasur të vështirë një proces të tillë, dhe prandaj ka ardhur me idenë për të vënë në dyshim zgjedhjet. Ajo që më duket interesante është destabiliteti, jo që njerëzit u turren dyqaneve, por destabiliteti politik. Se Shqipëria ka vuajtur nga stabiliteti politik, se partitë politike i lënë vendin njera-tjetrës. Ne nuk kemi luksin që të kemi qeveri përparimtare, këtu qeveritë janë shkatërrimtare. Situata mund të çeli shtigje të reja kështu siç është. Gjëja më e keqe është që partitë mund të bëjnë në një mendje.

Andi Bushati: Duke dëgjuar deklaratën e Hahn, kemi disa që mundtë quhen lajme të reja. E para; në këtë eskalim krize është deklarata më e fortë. Nuk quhet më si çështje diskutimi PD-PS, por është braktisje e qëllimshme e vullnetshme e zgjedhjeve nga opozita. Mua më duket sikur deri tani për dy muaj me radhë ndërkombëtarët kanë ushtruar presion mbi PD për ta detyruar që të futet në zgjedhje. Ne kemi diskutuar që Ndërkombëtarët janë më pro Ramës, por sot kemi një ngjarje të re. Deklarata e sotme nuk i adresohet më PD, por shqiptarëve. Çdo na ndodh me këtë parlament me legjitimitet të cunguar dhe shumicë marramendëse të kësaj qeverie? Çdo mendje që njeh dhe fasadën e rregullave, do thoshte se këtu nuk ka më demokraci. Mua personalisht nuk është një gj që do më pëlqente, pasi duket sikur do mbështesim një qeveri monokolor.

Kreshnik Spahiu: Më mirë të shkatërrohen partitë politike nga e para, të shkatërrohet një sistem i tërë, dhe ta riformatojmë. Kurrë nuk kam qenë as deputet as ministër. Dhe jam krenar, që mos jem pjesë i një formati parlamentar që formohet me vota të vjedhura.

Arlind Qorri: Ne nuk e kemi luksin për të qenë të majtë. Kriza politike është më pak e rëndësishme , më e keqe është kriza shoqërore. Nuk është më populli që zgjedh qeverinë, por qeveria zgjedh popullin. Tani është vetëm një krah i politikës që po tenton të zgjedhë popullin. I rëndëishëm është krijimi i një lëvizjeje serioze që mobilizon ata që nuk kanë çfarë humbin dhe ata të pashpresët që i bashkohen partive. PS dhe PD nuk funksionojnë demokratikisht. Janë parti që flenë gjumë 3 vite e 6 muaj e zgjohen kur vjen fushata. Qeveria e ardhshme sa më e dobët është, aq më e mirë është.

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: