TIRANE- Drejtuesi i Departamentit për Shëndetësinë në PD, Tritan Shehu, ka reaguar pas deklaratave të bëra një ditë më parë nga kryeministri Edi Rama, për investimet në spitalin e Shkodrës.

Përmes një reagimi për mediat, Shehu thotë se kreu i Qeverisë ka spekuluar me investimet në këtë spital, duke u shprehur se Rama nuk përmendi mungesat e mjekëve specialistë në Shkodër.

Sakaq, Tritan Shehu thotë se kryeministri Rama nuk ka thënë asgjë për premtimin e tij të pambjatur për shëndetësinë falas.

“Z.Rama spekuloi në Shkodër me sistemin shëndetësor. Të mburresh me “arritjet” e sistemit shëndetësor, edhe në Shkodër; kërkon “guxim” e mungesë serioziteti ekstrem. Këtë bëri Kryeministri aty, por duke mos thënë asgjë konkrete dhe të besueshme.

Ai nuk shpjegoi ku përfundoi “shëndetësia falas”; qytetarët po paguajnë “qimet e kokës” për një shërbim problematik.
Z.Rama u mburr me spitalin e ri të Shkodrës, por nuk tha që ai ndërtim filloi më 2008 dhe përfundoi më 2012-n.

Ai duhet të thoshte të vërtetën, faktin që në këtë spital të ri mungojnë krejtësisht ose janë të paktë specialistët e shërbimeve mjekësore, psh diçka thelbësore, nuk ka anatomo patolog, bakteriolog, janë pak mjekët në konsultoren e gruas, pediatërit, etj.

Ai nuk tha se ish Komunat Shal, Shosh e Pult kanë të treja vetëm një mjek e jo tre.
Ai nuk tha se ish komunat Temali e Shllak kanë të dyja vetëm një mjek pensionist.
Ai nuk tha se ne Poliklinike nuk kryhet shërbimi EKO-Grafi meqë mjeku është bërë drejtor i spitalit e nuk ka kush e zëvendëson.
Ai nuk tha që në sektorin e monitorimit të shërbimit nuk ka asnjë mjek.
Ai nuk tha se në ShP janë 25 mjekë që kanë mbushur moshën e pensionit dhe nuk ka mjekë të rinj për t’i zëvendësuar.

Nuk tha që në DShPQSH. drejtori është ekonomist me 3 vite studimore, nën drejtori ekonomik ka studiuar për fizikë e juridik, ndërsa n.drejtori teknik mungon krejtësisht.

Një Zot e di se si mund të drejtohet kështu një institucion i specializuar shëndetësor!
Problemet e sistemit edhe në Shkodër vazhdojnë me mungesën e medikamenteve, pagesat që qytetarët bëjnë, rrugët që ata kryejnë drejt Tiranës etj. etj.
Por për sot mjafton kaq!”, shprehet Tritan Shehu.
(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: