TIRANE- Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka kryer një kallëzim penal në Prokurori në lidhje me dekonspirimin e operacionit për kapjen e 3 ish-zyrtarëve të policisë të dyshuar si të implikuar në trafikimin e lëndëve narkotike.
Materiali i kallëzimit është nisur me postë në Prokurori nga ministri. Dyshohet se 3 ish- policët për të cilët Prokuroria e Krimeve të Rënda ka lëshuar urdhër arrest kanë lidhje me Habilajt. Kujtojmë se një ditë më parë kryeministri Edi Rama paralajmëroi në një studio televizive se Xhafaj do të bënte kallëzim penal ditën e sotme për dekonspirimin e operacionit.
Prokuroria për Krime të Rënda ka nxjerrë urdhër-ndalimet për shtetasit:
– Jaeld Çela, ish-Drejtor i Policisë Vendore Vlorë, liruar nga detyra dhe nxjerrë në dispozicion që prej muajit Prill 2017; i dyshuar për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Trafikim të narkotikëve”, të kryer në bashkëpunim në formë të posaçme të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 284, 283/a dhe 333/a.
– Gjergj Kohila, ish-shef i Sektorit Kundër Krimit të Organizuar në Vlorë, liruar nga detyra dhe nxjerrë në dispozicion që prej muajit Maj 2017; i dyshuar për veprat penale “Kultivimi i narkotikëve” dhe “Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 284 dhe 333/a, të Kodit Penal.
– Vendimi i Gjykatës në mungesë për masën e sigurisë “Arrest në Burg” është nxjerrë për shtetasin Sokol Bode, ish-shef i Postës së Policisë Kufitare Dhërmi, Vlorë, i pezulluar nga detyra në datë 25 Tetor 2017; i dyshuar për veprat penale “Kultivimi i narkotikëve” dhe “Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 284 dhe 333/a, të Kodit Penal.
(d.d/BalkanWeb)