TIRANË- Zëvendësministri i Mbrojtjes dhe kreu i PSV’91, Petro Koçi ka reaguar pas dekorimit nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani të 67 anëtarëve të Ballit Kombëtar të vrarë gjatë luftës së dytë botërore.

Koçi e ka cilësuar si të papranueshëm dekorimin nga ana e kreut të shtetit të bashkëpunëtorëve të fashizmit, duke e cilësuar një thikë pas shpine dhe tradhti ndaj Luftës Antifashiste.

“Dekorimi i bashkëpunëtorëve të fashizmit, thikë pas shpine dhe tradhti ndaj Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare!”, ka shkruar zëvendësministri Koçi në “Facebook”.

Ndërkaq sot, Kreu i Shtetit tha se Institucioni i Presidentit të Republikës e konsideron të papranueshme ringjalljen e urrejtjes staliniste, veçanërisht kur ajo vjen nga anëtarë të Kabinetit Qeveritar të një vendi anëtar i NATO-s dhe kandidat për Bashkimin Evropian.

Ndërsa Koçi shkruan se ‘rreshtimi i Presidentit në radhët politike të Ballit Kombëtar është një akt antinacionalist.

“Kjo dëshmon që e djathta nuk po distancohet dot nga ish-bashkëpunëtoret e fashizmit, ndryshe nga e majta që është distancuar qartazi dhe prerazi nga fajet dhe krimet e komunizmit. Të jesh kundër dekorimit të bashkëpunëtorëve të pushtuesit nuk të bën komunist. Antiballistët nuk janë patjetër komunistë apo bolshevike. Ashtu si antikomunistët nuk janë të gjithë ballistë. Presidentin ballist e kemi dhuratë nga Sali Berisha”, shkruan Petro Koçi.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, u ka akorduar titullin “Martir i Demokracisë” 67 ushtarëve të Ballit Kombëtar, të pushkatuar në vitin 1943. Ceremonia u zhvillua më 21 tetor në Divjakë të Lushnjës, në ditën e 73-vjetorit të masakrës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: