TIRANE– Lëvizja Socialiste për Integrim ka denoncuar zhvendosjen e KZAZ-së 80 në Bashkinë e Dropullit nga një fshat në një fshat tjetër, çka sipas kësaj partie synohet që të mos zhvillohen zgjedhjet normale në këtë zonë më 25 qershor.

Nënkryetari i LSI-së Luan Ramës, tha të martën në një konferencë për shtyp se, “Komisioni Qëndror Zgjedhor (KQZ) në papërgjegjshmëri të plotë dhe me absurditetin e një akti që nuk ka logjikë, ka vendosur në mbledhjen e djeshme ta zhvendosë qendrën e KZAZ-së 80 nga vendi tradicional ku ka qenë e vendosur gjithmonë në ambientet e shkollës në fshatin Jorgucat, duke e zhvendosur në Grapsh”.

Sipas tij, në thelb kjo është një përpjekje për të mos bërë të mundur zhvillimin e zgjedhjeve në KZAZ-në 80 të Bashkisë së Dropullit. Është një përpjekje për të mos lejuar zhvillimin e zgjedhjeve normale në Bashkinë e Dropullit.

Luan Rama i bëri apel KQZ-së që të shqyrtojë kërkesën e saj dhe të kthejë këtë KZAZ atje ku ka qenë në të gjitha zgjedhjet e zhvilluara më herët. Ndërsa bëri me dije se Kryetari i Bashkisë së Dropullit i është drejtuar me shkresë edhe Prefektit të Gjirokastrës edhe KQZ-së, ku ka kërkuar të mos zhvendoset KZAZ-ja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: