Menu Krye Të Fundit | Shqipëria |

Denoncimi i LSI për dhunë në Pukë, reagon kandidati i PS: Është një sajesë e momentit (Video)

19149205_158088338065349_9175243694428709475_n

PUKE– Kandidati për deputet i Partisë Socialiste në Pukë, Paulin Luli ka reaguar pas rastit të dhunës së denoncuar një ditë më parë nga kryetarja e LSI dhe ajo e LRI në këtë zonë. Ato pretenduan se ishin dhunuar nga disa persona, teksa udhëtonin me makinën e tyre në Fushë-Arrëz. Sakaq, akuzat u hodhën mbi PS me pretendimin se dhunuesit e kryetares së LSI dhe asaj të LRI, ishin të “Rilindjes”.

Por në një reagim për mediat, kandidati për deputet i PS në Pukë, Paulin Luli, thotë se kjo është një sajesë e momentit.

REAGIMI I PLOTE
Në emër të Partisë Socialiste të rrethit Pukë përgënjeshtroj të gjithë inskenimin e ditës së djeshme të paraqitur përpara mediave, nga ana e LSI.

Dje rreth orës 17.00 pranë Partisë Socialiste erdhën informacione nga banorë të zonës për kryerjen e veprës penale të parashikuar në nenin 328, të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Për të parandaluar vazhdimin e mëtejshëm të kryerjes se kësaj vepre dhe gjithashtu për t’u bërë verifikimet e nevojshme, është njoftuar Policia e Rrethit të Pukës si organ ligj zbatues dhe me kompetenca të plota veprimi.

Pas njoftimit Policia mori masat për parandalimin dhe kapjen në FLAGRANCE të shkeljes së ligjit duke kontrolluar të gjitha mjetet e dyshuara ku njëra prej të cilave ishte makina me të cilën lëvizte kandidatja për deputete e LSI, Zj, Sajmira Laci e shoqëruar nga kryetarja e LRI-se, Zj. Romina Kuci.

Nga videot e siguruara, SHIHET QARTE se punonjësit e policisë së shtetit po kryejnë vetëm detyrën e tyre duke zbatuar legjislacion në fuqi, ndërkohë që nga ana e palëve të kontrolluara dëgjohen akuza dhe presione të njëpasnjëshme gjë të cilën mund ta shikoni dhe në video.

Ndryshe nga deklaratat dhe akuzat e Lëvizjes Socialiste për Integrim, sqarojmë opinionin publik se e gjitha kjo është një sajesë e momentit, dhe kjo vërtetohet qartë nga stimulimi i kryetares së LRI-së, që rrëzohet për tokë dhe pak më pas hipën vetë në makine, çfarë tregon për aktrimin e paskrupullt me qëllimin e vetëm për të çoroditur policinë e Shtetit që të mos vazhdojë kontrolli në mjetin e tyre.
Partia Socialiste dhe unë si kandidat i saj i bëj thirrje Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë që të zbardhin vërtetësinë e ngjarjes, të ngrihen në lartësinë e detyrës dhe të ndalojnë abuzimin e hapur elektoral i cili po fshihet pas tymnajës për incidente të sajuara.

Partia Socialiste ju bënë thirrje të gjithë banorëve të Pukës të vazhdojnë të denoncojnë rastet e shit-blerjes së votës, ashtu siç bënë dje banorët e Fierzës dhe Blerimi ndaj të cilëve Lëvizja Socialiste për integrim ofroj para në këmbim të votës.

(el.sp/BalkanWeb)


KOMENTO

*E-mail nuk do te publikohet.
Komenti juaj do publikohet brënda 3 orëve , nëse përdorni fjalor ofendues , komenti nuk do të publikohet nga moderatori .


Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.