TIRANE- Eduard Halimi hoqi dorë nga mandati i deputetit për një punë më të mirë. Angazhimi në një projekt afatgjatë të së drejtës ndërkombëtare private në një network në Ballkan, i kërkoi një vendim të shpejtë dhe te papritur, lënien e menjëhershme e mandatit.
Falënderimi i parë në rrjetet sociale shkoi për kryetarin dhe ish-kryetarin e partisë Lulzim Bashën dhe Sali Berishën si dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë ndër vite dhe kolegët e grupit parlamentar. Mirënjohje pati edhe për votuesit në qarkun e Durrësit dhe Beratit të cilët e zgjodhën 3 herë deputet.
Me largimin e Eduard Halimit, pyetja që lind është se kush do i zërë karrigen e tij në parti?
Burime të sigurta i konfirmuan News24 se vendin e Halimit do e zërë Astrit Veliaj, i dyti në listën e qarkut të Beratit.
Por, Partia demokratike në këtë qark nuk e ka plotësuar kuotën gjinore ndaj KQZ e ka të pamundur të ndjekë listën rendore. Burime nga KQZ konfirmuan se për shkak të mosrespektimit të kuotës gjinore subjekti në fjalë është gjobitur dhe në bazë të kodit zgjedhor, kur një forcë politike gjobitet në një qark për mosrespektim të kuotës gjinore deputetët meshkuj zëvendësohen me femra.
Psikologia Juvina Jani është e renditur e 6-ta në listën e Partisë Demokratike në qarkun e Beratit dhe nëse zbatohet ligji dhe kodi vendi i Halimit është i saji. Por, deri javën e ardhshme kur KQZ të mblidhet për vendim mund të ketë shumë të papritura në listën e qarkut të Beratit ashtu si dhe vetë vendimi i beftë i Eduard Halimit për të hequr dorë nga jeta politike dhe parlamentare për një ofertë më të mirë.
(el.sp/BalkanWeb)