TIRANË- Deputeti i PD Tritan Shehu thotë se qeveria do të miratojë një projektvendim për krijimin e operatorit të shërbimeve të kujdesit shëndetësor, i përgatitur nga një organizatë jo fitimprurëse që do të administrojë mbi 300 milionë dollarë.
Sipas Shehut, ky organ i ri do të ketë një ndikim negativ në sistemin shëndetësor duke nisur nga kujdesi parësor e më tej.
Ish-ministri i Shëndetësisë thotë më tej se fondet do të përdoren, PPP do të lulëzojnë nën vendimet e një të deleguari të Rilindjes.
STATUSI I SHEHUT
Goditje fatale për Sistemin Shëndetësor me reperkusione të thella organizative, funksionale, financiare edhe korruptive.
Këshilli i Ministrave do të kalojë një Projekt Vendim për krijimin e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor.
Ky është në vazhdim të një Plan Veprimi të Ministrisë së Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale, të përgatitur në fshehtësi nga një “NGO” e që duhet implementuar deri qershor 2019.
Çdo gjë po bëhet jashtë çdo transparence, konsulte me specialistët, qoftë dhe me institucionet ndërkombëtare të sektorit.
Krijimi i këtij operatori, që do të administrojë mbi 300 M $ mbyll çdo mundësi për decentralizimin e sistemit tonë shëndetësor.
Nuk mund të ketë kështu asnjë hap përpara drejt “spitalit ndërmarrje”, të cilët futen nën një centralizëm ekstrem.
Kujdesi parësor centralizohet me tej e i mbyllet çdo hapësirë për të ecur drejt “profesionistit të lire”.
Zhduket çdo mundësi për përfshirjen e pushtetit vendor në zhvillimet rajonale të shëndetësisë.
Roli i Fondit dhe i gjithë sistemit sigurativ ngel vetëm teorik në mbledhjen e 3,4 %, duke e futur atë në regres të plotë.
Nuk hapet asnjë perspektivë integruese në sistem, të privatit.
Në fakt edhe roli i vetë Ministrisë së Shëndetësisë zbehet shumë, duke u krijuar mbivendosje e konfuzion kompetencash.
Çdo gjë do të vendoset, fondet do të përdoren, PPP do të lulëzojnë nën vendimet e një të deleguari të Rilindjes.
Në fakt ky plan veprimi dhe ky projekt VKM bien ndesh dhe me vetë strategjinë afat gjate të kësaj Ministrie.
(m.k/BalkanWeb)