CERRIK- Koordinatori i Partisë Socialiste për Qarkun e Elbasanit njëkohësisht deputeti i këtij qarku, Taulant Balla ka zhvilluar një takim me strukturat e PS në Cërrik, ndërsa ka komentuar situatën politike në vend, por nuk pranoi të komentojë tërheqjen e kandidatit të Kavajës. Balla tha se nuk ka asnjë dyshim se zgjedhjet do të zhvillohen në 18 qershor.

“Ne vazhdojmë organizimet e fundit të strukturave të PS për të vijuar me fushatën zgjedhore e cila zyrtarisht fillon në 19 Maj dhe përfundon me ditën e zgjedhjeve në 18 Qershor. Nuk ka asnjë dyshim që zgjedhjet do të zhvillohen në 18 Qershor. Ne po bëjmë të gjitha përpjekjet tona për të krijuar të gjitha mundësitë, përmes një mekanizmi të paimagjinueshëm monitorimi nga ana e opozitës për procesin zgjedhor, por është për të ardhur keq që PD ngulmon në një gabim të vetin për të mos marrë pjesë në zgjedhje, sepse zgjedhjet do të zhvillohen në 18 Qershor. Shqipëria është një vend me Republikë Parlamentare ku dy ditë më parë Kuvendi i mbylli punimet përmes një vendimi. Kjo do të thotë që 18 Qershori është një datë e cila është pamundësisht e lëvizshme. Të gjithë ne duhet të respektojmë vullnetin e popullit dhe secili prej nesh në mandatin që mbart në Parlament ka me vete vullnetin e qytetarëve. Ajo që diskutuam me strukturat PS këtu në Cerrik, është se strukturat janë gati për të vijuar komunikimin me njerëzit në çdo cep, në çdo lagje, në çdo fshat me qëllim një fitore historike për PS në 18 Qershor”- tha Balla.

Më tej deputeti Taulant Balla ka folur edhe për legjitimitetin e zgjedhjeve dhe kodin zgjedhor. Ai tha se PD ka frikë nga Vettingu.

“Legjitimiteti i zgjedhjeve në radhë të parë buron nga respektimi i të gjitha standardeve dhe i legjislacionit që rregullon zgjedhjet. Deri tani nuk kemi asnjë lloj cedimi nga të gjitha afatet ligjore që përcakton Kodi Zgjedhor dhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Gjithashtu për ne është shumë i rëndësishëm edhe diskutimi që zhvilluam sot me drejtues të shtabit elektoral të PS këtu në Cerrik, për të respektuar në çdo detaj standardet e zgjedhjeve. Për ne, si PS standardi i zgjedhje është shumë më i rëndësishëm se rezultati i tyre. Të gjitha porositë tona për të gjithë strukturën tonë është respetimi i ligjit. Procesi i dytë vijon me trajnimin e komisionerëve. Ne kemi i kërkuar të gjithë komisionerëve të jenë të kujdesshëm, të respektojnë ligjin dhe unë jam i bindur se zgjedhjet e 18 Qershorit do të jenë zgjedhjet më të mira të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri përsa i përket standardit. Po ashtu edhe fushata zgjedhore do të jetë një fushatë e qetë ku do të prevalojë prezantimi i alternativave, sepse Shqipëria që duam është një Shqipëri që kërkon shtet, punësim, mirëqenie. Ky është objektivi ynë në këtë fushatë. PD ka hyrë në një tunel të vështirë nga i cili nuk po arrin të dalë dot megjithë përpjekjet tona të panumërta, bashkë me miqtë tanë ndërkombëtarë, qofshin këta nga PE, qofshin miqtë amerikanë apo gjermanë dhe ende shpresojmë që PD të heqë dorë nga një alibi që buron nga frika që PD ka nga rezultati i zgjedhjeve. Por më shumë se rezultati i zgjedhjeve, PD ka frikë nga Vettingu. Reforma në Drejtësi është një aleancë e rëndësishme që PS ka me qytetarët e thjeshtë të këtij vendi. Na kanë votuar qytetarët për më shumë drejtësi në 2013 dhe reforma në drejtësi është besëlidhja jonë më e madhe me qytetarët për t’u shërbyer atyre. Ne duam t’i garantojmë qytetarët se siç punuam me të njëjtin përkushtim dhe gatishmëri për reformën në drejtësi për 4 vitet që mbyllen, ne do të punojmë me të njëjtin angazhim, me të njëjtin përkushtim për vendet e punës, për punësimin e qytetarëve ne 4 vitet e ardhshme dhe më shumë se kudo tjetër kjo fjalë ka vend këtu në Cerrik”- tha Balla.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: