TIRANE- Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati ka komentuar sot letrën e komisionerit për Zgjerim, Johannes Hahn, i cili kritikoi qëndrimin e opozitës për bojkotin e zgjedhjeve. I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në “News24”, Bushati pohoi se Hahn foli me gjuhë edhe të rëndë ndaj Partisë Demokratike, duke e cilësuar si ‘shuplakë’ ndaj opozitës.

Në një kohë kur afati për regjistrimin në zgjedhjet e 18 qershorit ka skaduar, deputeti i PS-së habiti me deklaratën e tij, pasi mendon që PD do të futet në zgjedhje. Ai theksoi se opozita nuk do bënte vetëvrasje.

“Kjo shpullë direkte e BE i vjen lidershipit të PD e drejtpërdrejtë, e qartë dhe pa ekuivokë. BE e ka bërë të qartë se maxhoranca e ka pasur vullnetin për të bashkëpunuar. Ndërsa sot topi ngelet tek çadra e PD, e cila më shumë se një çadër, që ka bllokuar rrugën, ka bllokuar rrugën drejt Europës. Lajm i mirë është se BE do t’i njoh zgjedhjet e 18 qershorit. Këtë do që të thotë mesazhi i fundit; ndonëse politika në shumicën e rasteve, PD nuk është në lartësinë e saj, lajm i mirë është që shqiptarët janë të distancuar”, tha ai.

Nga ana tjetër Bushati shtoi se maxhoranca ka bërë gjithçka për dialog. “Rama e ka shprehur me vullnetin e tij dhe qeveria, me shtyrjen e zgjedhjeve në Kavajë, qe janë të gatshëm që t’i lënë mundës një dritare PD. Vota popullore nuk mund të anashkalohet. Nuk ka të bëjë me marrëveshje dhe se sa shkojnë liderat. Vota zgjedh qeverinë, qeveria zgjidhet me votë. Çdo gjë tjetër është e negociueshme. Unë besoj se PD do i thërrasë mendjes dhe do futet në zgjedhjet e 18 qershorit, nuk do bëjë vetëvrasje. Nuk dua që të shkojë në zgjedhje pa opozitën, nuk dua të ketë asnjë akt destabilizues”, tha ai.

Po ashtu, deputeti i majtë pohoi se nga çadra e PD kanë ardhur thirrje për destabilizimin e vendit. “Ka pasur raste të tilla në Shqipëri. Thirrjet për destabilizim janë të shpeshta, për të çadërzuar gjithë Shqipërinë. Ka një realitet tjetër kundër çadrës. Aty brenda sikur hipnotizojnë njëri-tjetrin. Dyshja Berisha-Basha si Batman dhe Robin, vazhdojnë me teoritë e apokalipsit, dhe thonë: ‘E ka lakun në fyt, do shkojë drejt fatalitetit’”, nënvizoi Bushati.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: